Bota

Kina izolon një qytet me 5 milionë banorë pas dy rasteve me ‘Omicron’

Pesë milionë e gjysmë banorë të qytetit Anyang, provinca Henan, janë mbyllur në shtëpi për shkak të izolimit për masat anti-Covid të vendosura nga autoritetet lokale pas konfirmimit të 84 rasteve që nga e shtuna, duke përfshirë të paktën dy nga varianti i frikshëm “Omicron”.

Bllokimi në Anyang e çon numrin total të banorëve të mbyllur në shtëpitë e tyre në Kinë pas Xi’an (me 13 milion banorë) dhe Yuzhou (me 1.1 milion), në 20 milionë.

Po ashtu, ka pasur kufizime të rënda në Tianjin, vatra e parë e brendshme në Kinë e “Omicron”-it.

Krahasuar me “Delta”-n, ky variant ka rezultuar të jetë një sfidë edhe më e madhe për politikën zero Covid të udhëheqjes komuniste: ajo përhapet më shpejt dhe është më e vështirë për t’u zbuluar për shkak të ngarkesës më të ulët virale.

Për këtë arsye, pavarësisht testeve te 14 milionë banorët e qytetit-port të Tianjin të përfunduar në vetëm 48 orë, pritet të ketë qindra të infektuar.

Tabloidi “Global Times” ka vlerësuar 100,000 udhëtarë të rregullt që udhëtojnë çdo ditë për arsye pune: një bombë e mundshme pandemike kundër së cilës Pekini ka ngritur alarmin dhe mbrojtjen.

Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, këshilloi banorët e kryeqytetit që të mos vizitojnë Tianjin, duke kërkuar që të punojnë nga shtëpia.

Që nga mbrëmja e së dielës, biletat e trenit midis Tianjin dhe Pekinit, nuk mund të blihen më online, ndërsa fluturimet dhe shërbimet e autobusëve në Tianjin janë bllokuar, shkollat ​​dhe universitetet po ashtu janë mbyllur.

Qendra gjithashtu urdhëroi njerëzit që mbërrijnë në Pekin që nga 23 dhjetori që të raportojnë në komunitetet e banuara, punëdhënësit ose hotelet për monitorimin e shëndetit dhe testimin e Covid, si dhe për vetëizolim në shtëpi për ata që vijnë nga zona me rrezik të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë