Bota

Kërcënonte se do të vriste Donald Trumpin, zbulohet plani i 72-vjeçarit në Nju Jork

Një 72-vjeçar, i cili kishte paralajmëruar zyrtarët amerikanë për planin e tij për të vrarë ish-presidentin Donald Trump para dhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, u arrestua të hënën më 6 janar, njoftoi zyra e Prokurorit Federal të Bruklinit.

Thomas Welnicki, 72 vjeç, “me vetëdije dhe qëllimisht, kërcënoi se do të vriste, rrëmbente dhe do t’i shkaktonte lëndime fizike” ish-presidentit të SHBA-ve, thuhej në dokumentin e gjykatës të lëshuar në mbështetje të urdhrit të arrestit.

I dyshuari, i arrestuar nga agjentët e Shërbimit Sekret – agjencia përgjegjëse veçanërisht për mbrojtjen e presidentëve dhe nënpresidentëve amerikanë – doli para drejtësisë me akuzat për kërcënime për vrasje kundër Donald Trump.

Thomas Welnicki, dyshohet se telefonoi Shërbimin Sekret nga celulari i tij duke kërkuar informacion mbi mbrojtjen e Donald Trump

Ai u lirua më pas me kusht, pasi dha 50,000 dollarë, me masën e sigurisë “arrest shtëpiak” vetëm në mbrëmje, monitorim GPS dhe kërkesë për ekzaminim dhe trajtim të shëndetit të tij mendor, si dhe çdo varësi nga alkooli ose droga, tha një zëdhënës i prokurorisë.

Sipas dokumentit, Welnicki kishte telefonuar zyrën e Shërbimit Sekret të Nju Jorkut të paktën tre herë, midis 24 shtatorit dhe 2 dhjetorit 2021 për të shprehur synimet e tij, duke pyetur për mbrojtjen e Donald Trump dhe duke pretenduar se kishte pasur një armë zjarri në të kaluarën.

“Unë do të bëj gjithçka që mundem për t’u siguruar që të vdesë”, kishte paralajmëruar i moshuari njujorkez, një banor i Rockaway Beach, Bruklin, duke krahasuar Trumpin me Hitlerin gjatë një bisede telefonike në nëntor 2021.

Welnicki kishte bërë kërcënime në verën e vitit 2020, para zgjedhjeve presidenciale edhe me policinë e Kapitolit në Uashington, duke siguruar se “do të merrte armët dhe do të rrëzonte” miliarderin, nëse ky i fundit do të humbte zgjedhjet dhe nuk do të pranonte rezultatin.

Më 4 janar 2021, dy ditë para sulmit të Kapitol Hillit nga militantët ‘Trumpistë’, i dyshuari këtë herë la dy mesazhe në sekretariatin e zyrës së Shërbimit Sekret në Long Island, një lagje tjetër në Nju Jork.

Më pas ai kërcënoi se do të vriste Donald Trump dhe 12 anëtarë të Kongresit, të cilët nuk i identifikoi.

Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënohet nga vdekja e katër presidentëve të vrarë gjatë mandatit të tyre, nga Abraham Lincoln në vitin 1865, deri te John Fitzgerald Kenedi në 1963-in në Dallas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë