Politike

Auditi i fondeve të BE: Mungesa e vullnetit politik pengoi reformën në drejtësi në Shqipëri

Një audit i fondeve që Bashkimit Europian ka hedhur në Ballkanin Perëndimor për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit ka dalë në përfundimin se miliona eurot kanë dhënë pak efekt në këtë drejtim përballë mungesës së vullnetit politik për reforma në këto vende.

Në rastin e Shqipërisë, raporti vëren se zhvillimet pozitive me mbështetjen e fondeve të BE-së u penguan nga mungesa e vullnetit politik, që prodhoi në sukses të kufizuar në avancimin e reformave kryesore në sundimin e ligjit. Problemi madhor identifikohet me pavarësinë e sistemit të drejtësisë, përqëndrimit të pushteteve, ndërhyrjet politike dhe korrupsioni.

Raporti është i Gjykatës Europiane të Auditimit thotë se vendet shpesh vazhdojnë të tregojnë mungesë të theksuar vullneti për të luftuar korrupsionin endemik, apo ndërhyrjet e politikës në sistemin e drejtësisë.

“Mbështetja e Bashkimit Europian për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, qartas nuk ka qenë e suksesshme për të sjellë një ndryshim domethënës, thotë në raportin kritik Juhan Parts, pjesë e grupit auditues të gjykatës.

Raporti tregon se sa pak është arritur me rreth 700 milionë euro që Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion në formën e ndihmës financiare për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm në periudhën 2014-2020. Shuma tejkalon 1 miliard euro, nëse llogariten edhe fondet e ofruara para 2014-s.

Audituesit thonë në raport se BE ka përdorur shpesh “karrotën” dhe më rrallë “shkopin”, teksa financimet dështuan që të prodhojnë ndikimin e pritshëm në shoqëri.

“BE shumë rrallë shqyrtoi mundësinë e pezullimit të ndihmës nëse një vend përfitues dështonte në mbrojtjen e forcimin e parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, thekson raporti.

Raporti me doza të forta kritike pritet që të hedhë edhe më shumë benzinë në zjarrin e euroskeptikëve që kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, një proces që ka ngecur prej vitesh tashmë.

Ekspertët thonë se besueshmëria e BE në rajon është në rënie të lirë dhe tërheqja e Brukselit nga projekti i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor po inkurajon gjithnjë e më shumë aktorë të tretë, si Rusia, Kina dhe Turqia për të mbushur vakuumin dhe rritur influencën e tyre.

Dallimi mes BE dhe këtyre aktorëve të tretë është se këto vende janë më shumë pragmatike sa i takon politikës së jashtme në këtë drejtim dhe shpërfillin kërkesat për sundim ligji, të drejtat e njeriut, apo parimet themelore të demokracisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë