Politike

Paloka letër deputetëve të PD: Mos u përdorni nga Basha, kur shiti Sali Berishën, sa i duhet t’ju shesë juve…?

Para një mbledhje të pritshme të grupit parlamentar të PD-së ku pritet të vendoset për ato që miratoi kryesia e PD-së, deputeti i PD-së, Edi Paloka, i pezulluar aktualisht, i është drejtuar me një letër publike  demokratëve kolegë.  

“Pas situatës se krijuar ne PD ju keni sot përgjegjësi të madhe për fatin e atyre që ju kanë votuar, sepse fati i PD lidhet direkt me fatin e tyre dhe të shqiptarëve në përgjithësi!

A e dini ju se nga kush jeni votuar dhe keni ato mandate përfaqësimi sot? A e dini ndaj kujt detyroheni e keni përgjegjësi?

Jeni votuar në radhë të parë nga demokratët. Jeni votuar nga ata që me vullnetin e tyre mblodhën Kuvendin e 11 dhjetorit. Jeni votuar nga ata që me 18 dhjetor morën pjese masivisht në referendumin për ratifikimin e vendimeve të Kuvendit. Jeni votuar nga ata që me 8 janar kërkuan të hynin në shtëpinë e tyre por me kërkesë të Bashës e urdhër të Ramës jo vetëm ju mbyllën dyert por dhe u dhunuan.

Kush mendon se e ka mandatin prej mercenareve të Bashës apo banditëve me uniforme të Ramës, le të vazhdojë të qëndrojë në krah të tyre. Po nëse ka mes jush nga ata që i dhimbset PD dhe ndjejnë përgjegjësi për ata që i kane votuar, nuk mund të ulni kokën e të heshtni sot apo ca me keq të përdoreni shëmtuar nga ai që po tregon çdo ditë se është gati të bëj çdo gjë për të mbrojtur interesin dhe karrigen e tij në opozitë…”, shkruan Paloka

Pse nuk i bëni disa pyetje vetes po edhe Bashës ? Pyet më tej Paloka

“Pyeteni Bashën se pse nuk e pranon votën e demokratëve si zgjidhje ? E nuk e kam fjalën vetëm për vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit apo të Referendumit te 18 dhjetorit. Pse nuk ka pranuar kurrë e nuk pranon të votbesohet me asnjë mënyrë nga demokratët si forma e vetme për të zgjidhur krizën, shkaktar i së cilës është ai vetë?

Pse është gati të fshihet, të mbyllë e bunkerizojë selinë, por të mos votohet ? Pse hedh miliona për të mbyllur me hekur shtëpinë e demokratëve, e nuk pranon të votohet?!

Pse ju kërkon ju deputetëve të PD të ktheheni në mburoja të gjalla për të?! Pse është gati t’ju sakrifikojë ju e të helmojë demokratët me gazin e Ramës vetëm që mos shkoj të votohet? Pse është gati edhe ta shkatërrojë PD ?! Pse i duhet një vule e disa zyra të uzurpuara, nën mbrojtjen e policisë së Ramës, kur demokratët i ka përzënë?! Pyeteni se keni përgjegjësi, nuk jeni pupacët e tij .

…Nuk mori Sali Berisha asnjë nga ne në telefon ti lutej apo ca më keq ta urdhëronte që ti dilnim “në mbrojtje” siç bën Basha me ju.

…Po në Parlament si do e bëni opozitën ?! Mendoni pak, kur të duhet të dilni në Parlament e të sulmoni Ramën si opozitare. E dini si do ju përgjigjet ? “Mor lul po ti me këta të tjerët, po me qaje në telefon që të të sillja policinë e krimit e të të shpëtonte nga demokratet…!”

Nuk po ju them rreshtohuni pas Berishës, po tregohuni dinjitoz në qëndrimet tuaja se jeni deputetë e përfaqësues…”

Më tej ndër radhë Paloka nënvizon: “E ne se ndonjëri mendon se duke treguar “besnikëri” ndaj Bashës do ketë të paktën mirënjohjen e tij ( se të ardhme politike as bëhet fjalë) le të gjykoje pak: ky që u tregua mosmirënjohës e shiti Sali Berishën, sa i duhet t’ju shesë juve…? “


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë