Bota

Trazirat në Kazakistan, SHBA: Rusia të tërheqë menjëherë trupat e saj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Rusisë që të tërheqë “me shpejtësi” forcat e saj ushtarake të dërguara në Kazakistan me kërkesë të presidentit të vendit Kassym-Jomart Tokajev pas trazirave të dhunshme që përfshinë para një jave vendin e Azisë Qendrore.

“Ne mirëpresim njoftimin e presidentit Tokajev, se paqeruajtësit e CSTO-së (një marrëveshjeve mes ish-republikave të Bashkimit Sovjetik), kanë përfunduar misionin e tyre”, – tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Ned Price, duke iu referuar rreth 2.000 trupave të dërguar në vend.

“Derisa të tërhiqen forcat e CSTO-së, ne do të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje atyre të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të respektojnë angazhimin e tyre për t’u tërhequr shpejt nga Kazakistani, siç kërkohet nga qeveria kazake”, – shtoi zëdhënësi i diplomacisë amerikane gjatë një konference për shtyp.

Tokajev tha se tërheqja e kontigjentit të ushtarëve paqeruajtës nga Rusia dhe Armenia, do të fillonte brenda dy ditësh, do të jetë “gradual” dhe nuk do të zgjasë më shumë se dhjetë ditë.

Por ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tregoi se largimi do të bëhej pasi situata të ishte “stabilizuar plotësisht” dhe “me vendimin” e autoriteteve kazake.

Lidhur me situatën në vend, presidenti kazak foli për një tentativë “grusht shteti” dhe një “sulm terrorist”, ndërsa Vladimir Putin tha se Kazakistani ishte objektiv i “terrorizmit ndërkombëtar”, por as njëri dhe as tjetri nuk dhanë prova për pretendimet e tyre.

Gjithashtu nuk është e qartë se sa njerëz kanë humbur jetën në trazirat sociale në qytetet e Kazakistanit.

Të enjten, policia kazake tha se kishte vrarë “dhjetëra” protestues dhe të shtunën, pavarësisht apeleve ndërkombëtare kundër dhunës, Tokajev, tha se kishte autorizuar policinë të qëllonte “për të vrarë, pa paralajmërim”.

Duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë, disa media raportuan të paktën 164 persona që humbën jetën në protesta (një numër që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur), por Ministria e Informacionit të Kazakistanit, më vonë tërhoqi deklaratën, duke folur për një “gabim teknik”. Sipas Ministrisë së Brendshme, janë arrestuar afro 10 mijë persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë