Bota

Gjermani, dënohet me burgim të përjetshëm ish-koloneli i regjimit të Asadit

Ish-koloneli sirian Anwar Raslan, i akuzuar për krime kundër njerëzimit, është dënuar këtë të enjte me burgim të përjetshëm në Koblenc të Gjermanisë, dy vjet pas nisjes së procesit gjyqësor.

Raslan është përgjegjës për torturimin e 4,000 njerëzve gjatë luftës civile siriane, midis viteve 2011-2012 dhe për 58 vrasje dhe përdhunime.

Gjyqi i Koblencit është çështja e parë penale në botë që përfshin një anëtar të regjimit sirian. Shumë nga afro 800,000 sirianë që tani jetojnë në Gjermani, kanë dëshmuar kundër ushtarakut të lartë Raslan.

Avokatët gjermanë për të drejtat e njeriut, e mbështetën çështjen e dëshmitarëve, duke përdorur parimin e juridiksionit universal për ta çuar çështjen në gjykatë.

Kjo lejon që krimet e rënda të kryera në një vend, të gjykohen edhe diku tjetër. Wolfgang Kaleck, kreu i Qendrës Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut, i cili udhëhoqi rastin, thotë se është e vështirë të flitet për drejtësi, duke qenë se qindra mijëra njerëz janë torturuar dhe dhjetëra mijëra të tjerë kanë vdekur si pasojë e krimeve të ndryshme.

Koloneli Raslan, aktualisht 58 vjeç, u arrestua në Berlin në vitin 2019. Ai kishte qenë në Gjermani për pesë vjet, duke mbërritur me familjen e tij si “refugjat politik”, pasi u ndihmua për t’u arratisur nga anëtarët me ndikim të opozitës në mërgim.

Të njëjtët kundërshtarë të regjimit të Asadit, madje e kishin vlerësuar atë për pjesëmarrjen në “bisedimet e paqes” të ndërmjetësuara nga OKB-ja në Gjenevë në vitin 2014.

Në vitin 2013, kundërshtarët në mërgim, ishin bindur nga koloneli Raslan që ta transportonin atë nga Siria në Turqi në këmbim të informacionit sekret mbi strukturën e pushtetit të Damaskut.

Informacioni, i cili nuk u dha kurrë nga Raslan, supozohej të ndihmonte opozitën të rrëzonte Asadin. Pavarësisht nga kjo, diktatori mbeti në pushtet, falë mbi të gjitha mbështetjes vendimtare të Rusisë dhe Iranit.

Dhe në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, ai u rikonfirmua edhe për shtatë vite të tjera, deri në vitin 2028 si president.

Shkurtin e kaluar, gjithashtu Gjykata e Koblencit në Gjermani, dënoi Eyad Gharib, një anëtar i rangut të ulët të shërbimeve të represionit të Damaskut dhe i lidhur me “Departamentin 251” të kryesuar nga Raslan, me katër vjet e gjysmë burg. Gharib u shpall fajtor për bashkëpunim në kryerjen e krimeve kundër njerëzimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë