Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar se Evropa duhet të ketë qasje më seriozë për Ballkanin Perëndimor, gjatë një fjale të mbajtur në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
“Vetë Europa duhet të ketë qasje më serioze për Ballkanin Perëndimor dhe duhet t’u qëndrojë premtimeve që bën. Duhet të ofrojë ‘karotën’ kur duhet, por edhe ‘shkopin’ kur është e nevojshme ndaj të gjithë autokratëve në rajon të cilët rikthejnë tema të së kaluarës, si një shantazh, për t’i lënë rehat në autokracinë e tyre”, tha Meta.
Presidenti foli edhe për “Ballkanin e Hapur”, duke shprehur shqetësim në lidhje me pozitën e Kosovës në këtë proces.
“Ndërkohë ne kemi Procesin e Berlinit që është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues.
Nuk mund të zhvendosim stadin e bashkëpunimit rajonal, nga vetë shtrati i procesit të integrimit europian, të të gjithë vendeve tona dhe rajonit.
Nuk mund ta fsheh shqetësimin tim për pozitën e Kosovës dhe tendencën e “Ballkanit të Hapur” për ta margjinalizuar atë.
Unë kurrë nuk kam besuar dhe nuk mund të besoj, që zgjidhja për çdo çështje në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë më pak serbë në Kosovë, apo më pak shqiptarë në Serbi.
Thelbi është që këto dy vende duan t’i bashkohen Bashkimit Europian dhe nëse duhet t’i bashkohen, duhet të ecin në rrugën e parimeve dhe vlerave europiane. Por jo të vendosin në diskutim parimet dhe vlerat, sikurse ka qenë ideja e papranueshme për ndryshimin e kufijve”, tha Presidenti Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje