Politike

Rama fton të rinjtë: Shkoni përtej FRESSH-it, sa më shumë t’i rrini larg politikës, aq më shumë do hani dynjanë prej saj

Ai që mbajti peshën kryesore të fjalës dhe vete aktivitetin në 30 vjetorin e themelimit të FRESSH ku ishin ftuar të gjithë rrymat brenda PS (Balla, Veliaj, Gjiknuri) dhe zëri kritik i deritashëm, (Ditmir Bushati), ishte kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit mbajti një fjalim të gjatë mbi konceptin e politikës se cfarë është ajo dhe pse të rinjtë duhet t’i bashkohen asaj, duke shpotitur jo pa qëllim protestën e studentëve dhe duke iu këshilluar se gjërat nuk mund të zgjidhen vetëm.

Edi Rama e tha troç se FRESSH nuk është më një organizatë e re duke hedhur sytë përtej saj.

“Unë dua që ju të shkoni përtej FRESSH-it. FRESSH u bë 30-vjeç nuk quhesh më i ri, 30-vjeç. 40-vjeç, 50-vjeç, 60-vjeç, 70-vjeç, i ri mbetet vetëm Pandeli Majko askush tjetër! Përpiqet Taulanti (Balla) i shkretë, por nuk e arrin dot që të jetë i ri, pavarësisht se po shkon 50-vjeç.

Kush do ta mbajë le ta mbajë, kush do ta hajë, le ta hajë, ju duhet të shkoni përtej traditës ku politika i shikon të rinjtë si masë njerëzore që mbush sallën, por lë zbrazur hapësirën e të menduarit politik”, tha Rama në mesazhin e tij për të rinjtë.

Ai kujtoi Akademinë Politike të ngritur në PS dhe rolin që duhet të ketë në këtë drejtim.   

Nuk la jashtë as zhvillimet në PD.

“Ato që pamë pak ditë më parë, më 8 janar, as 1 km larg nga këtu tek oborri i një partie politike që u kthye në sheshxhirimin e një reality shoë, në një reality shoë me politikanë realë por të arratisur mbrapa në kohë, diku andej nga mesjeta dhe me godinën e partisë të kthyer në kështjellë, të cilën disa sulmonin për ta marrë, disa luftonin për të mos e lëshuar, gjëra të paimagjinueshme të cilat në vende të ndryshme, në përmasa të ndryshme, po ndodhin gjithnjë e më shumë”,

Thuajse në gjithë fjalimin u fokusua tek politika.

“Duke menduar se për ju është një sforco e veçantë që ditën e shtunë me këtë diell, me ata që keni në krahë, me të tjerë që mund t’i shikoni anash dhe të thoni kur do ta bëjmë një takim, të duroni tani dhe fjalime.

Mua më duket e udhës të bëj një fjalim ndryshe dhe të merrem me politikën si fjalë. Si fjalë sa e zhgaravitur mes fjalëve më të këqija.

Fjala politikë ka hyrë në rrugën e fjalëve të pista, edhe politikanët janë kthyer në një personazhe të urryer në zhgaravinat e metrosë aty ku “friends-at” hyjnë e dalin pa leje, me imazhe dhe tinguj që shfaqen dhe zhduken në ekranin e iphonit, ku politika shkelet me këmbë vazhdimisht…

Ju që keni ardhur sot këtu me siguri që e dëgjoni shpesh fjalën politik. E dëgjoni si refuzim për të mos u marrë me politik apo mos të folur fare për politik. Nuk dua t’ia shoh bojën, nuk merrem me politik, politikanët janë njësoj etj, etj… Po çfarë është politika, vetë politika vjen nga fjala polis që do të thotë qytet dhe konsiderohej në atë kohë si përmasa natyrale e njeriut e vetmja që mund të organizohet jeta shoqërore.

Siç do të ishte njeriu pa shpirtin ashtu do të ishin dhe njerëzit pa politikën. Përpara se politika të lindte njerëzit nuk jepnin dhe nuk merrnin me njëri tjetrin. Politika i përmbledh të gjitha veprimet që duhen zgjidhur, në një klasë, në një komunitet në një vend, në një rajon dhe në të gjithë botën

Vetëm duke luftuar për një të mirë të përbashkët unë mund të fitoja lirinë krijuese. Më vonë unë lexova se sensi i politikës është liria. Politika si profesion, institucionet, zgjedhjet janë vetëm kurorëzim i zgjedhjeve . Politika nuk është ai proces, politika e ka zanafillën tek ëndrrat tek nevojat tek qytetarët. Aq më shumë sa më shumë të merren të rinjtë me politik aq më e mirë bëhet politika, sa më shumë t’i rrini larg aq më shumë do hani dynjanë për shkak të politikës”, tha ndër të tjera Rama.

Rama solli eksperiencën e tij personale se pse iu fut politikës.

“…Politika nuk duhet lënë në duart e tjerëve si kopili në dyert e të tjerëve sepse ajo vendos për ty e vepron për ty për punë që janë dhe të tuat. Politikanët janë pjesë e politikës, por politika nuk duhet lënë të bëhet monopol  i tyre. Unë s’kisha ambicie politike dhe kur u vendos pluralizmi, u krijua PD , mua më mjaftoi liria e fituar dhe vazhdova punën time si artist. Pse u ngatërrova unë me politikën kur nuk kish ambicie të tilla? Sepse ishte politika shkaku i kufizimeve të tmerrshme të jetës sime si artist. Ça mund të bëja unë i vetëm kundër tyre? Unë nuk doja të merresha me politikë, doja të merresha me art por ja që politika merrej me mua, duke u marrë me artin tim. Vetëm duke ndryshuar politikën, bashkë me të tjerë, unë mund t’i hiqja qafe këto kufizime. Sensi i politikës është liria”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë