Në 30 vjetorin e themelimit të PS-së, mbajti fjalën edhe ish-ministri i Jashtëm dhe ish-deputeti, Ditmir Bushati, zëri kritik i kësaj force politike në një kohë të konsiderueshme i cili aktualisht është i angazhuar në themelimin e Akademisë Politike të PS-së.
Bushati e filloi nga vetja rëndësinë e përfshirjes të të rinjve në politike, për të përcjellë mesazhe konkrete dhe një mbështetje për kryeministrin Edi Rama në kontributin e tij për përfshirjen e të rinjve në PS.
“30 vite më parë kur po themelohej FRESSH, isha vetëm 14 vjeç dhe më kujtohet se në gjimnazin tonë “Petro Nini Luarasi”, u përhap lajmi se në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohej një takim festiv ku do të këndonte grupi muzikor “Ritfolk”, krenari e PetroNinsave dhe simbol i kohës. Shqipëria sapo kishte hyrë në epokën e lirisë dhe çdo festë në zymtësinë e kohës ishte një mundësi për argëtim dhe përfshirje, më shumë sesa tregues i përkatësisë politike.
Në tre dekada, aktivizmi politik në Shqipëri ka kaluar në një trajektore komplekse mes idealizmit, dëshirës, pamundësisë, meritokracisë, katapultimit e pragmatizmit. Shpesh, angazhimi në politikë shihet si mundësi për një vend pune në shtet, dhe jo si mekanizëm për të pasuruar vlerat dhe veprimin politik e shoqëror.
Megjithëse që në rini të hershme kam qenë kurioz për politikën, po aq ngurrues kam qenë për t’u përfshirë në vijën e parë të saj.
Falë këmbënguljes dhe lidershipit të Edi Ramës; besimit tek vlerat demokratike të qendrës së majtë; mbështetjes së pakursyer të socialistëve, e konsideroj privilegj përfaqësimin e tyre në të gjitha nivelet, duke dhënë kontributin tim për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë e më të zhvilluar; për një PS si alternativa më e mirë dhe jo si e keqja më e vogël”, tha ai.
Sipas tij, përmirësimi i modelit të sjelljes politike dhe ai i zhvillimit të vendit duhet të shkojnë paralelisht.
“Krizën e paprecedentë që po përjeton opozita duhet ta shohim me shqetësim dhe njëkohësisht si mundësi për të shtuar përpjekjet tona për një PS më të hapur, më demokratike dhe inspiruese të një kulture të re politike, që ofron mundësi për të gjithë.
Gjenerata jonë është rritur me ëndrrën e Europës në horizont. Të jesh pjesë e politikës në vitin 2022, është e vështirë t’ua shpjegosh gjeneratës tuaj, e cila lundron në të njëjtën botë digjitale me atë të bashkëmoshatarëve europian, mospërmbushjen e kësaj ëndrre.
Ndaj, na duhet t’i përgjigjemi dilemës: A është më e thjeshtë të largohesh drejt Gjermanisë apo të bëhet Shqipëria një vend normal europian? Për këtë na duhet jo vetëm që të jemi partia e të rinjve, por mbi të gjitha partia që bën të rinjtë të flasin. Që i bën ato aksionerë të zhvillimit të vendit.
Përgjegjësia jonë për Shqipërinë është më e madhe se fuqia jonë.
Na duhet guxim për të ëndërruar dhe aftësi për të brendësuar ide të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Për të ndërtuar një ekonomi të dijes që përqafon njohuritë tuaja, që zgjeron bazën e mirëqenies në shoqëri, duke e vendosur theksin tek vlera që prodhon shumica e jo përfitimi i pakicës.
Për t’i paraprirë sfidave të kohës, Partia Socialiste do të themelojë Akademinë Politike, si një institucion ndihmues për formimin politik, duke zhvilluar kapacitetet partiake, e njëkohësisht identifikuar talentet e reja që kanë dëshirë të kontribuojnë në politikë. Duke rritur kësisoj ndërveprimin me shoqërinë.
Por le të qëndrojmë më këmbë në tokë. Nuk ka Akademi që zëvendëson “lodhjen e përditshme” të politikës, e cila të imponon përgjegjësi përkundrejt njerëzve që përfaqëson. Talenti dhe profesionalizmi në politikë janë të rëndësishme.
Apeli im për ju sot është se nëse besoni te “lodhja e përditshme” e politikës dhe jo tek indiferenca, mos ngurroni të bëheni pjesë aktive e saj, të luftoni, e të realizoni ëndrrat tuaja me këmbëngulje e vetbesim!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje