Bota

Bum infeksionesh me Covid në Suedi, kryeministrja Anderson del pozitive

Kryeministrja suedeze, Magdalena Anderson, rezultoi pozitive me Covid-19, ndërsa vendi nordik po përjeton një bum të infeksioneve, sipas zëdhënësit të saj për shtyp, Johan Ekstrom. Kryeministrja ndihet mirë, “ajo po ndjek rekomandimet aktuale dhe do ta bëjë punën nga shtëpia”.

Përveç Andersson, Per Bolund – i cili drejton Partinë e Gjelbër së bashku me Marta Stenevi – dhe udhëheqësja e partisë qendrore, Annie Loof, gjithashtu rezultuan pozitive me koronavirus pas një takimi të liderëve të partisë të mërkurën e kaluar.

Suedia, një vend me 10.3 milionë banorë, aktualisht po përjeton një numër rekord të infeksioneve, me një maksimum prej 25,567 rastesh të regjistruara ditën e djeshme.

Një numër masash të reja për kontrollin e virusit u njoftuan në fillim të kësaj jave, duke përfshirë mbylljen e hershme të bareve dhe restoranteve dhe një kufi prej 500 personash për tubime publike.

Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se situata e shërbimeve shëndetësore tashmë është “shumë e tensionuar”. Suedia u kthye në qendër të vëmendjes në ditët e para të pandemisë kur, ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, nuk prezantoi asnjë formë bllokimi ose mbylljeje shkollash dhe ndërmarrjesh.

Ajo mori një qasje më të butë, duke rekomanduar distancimin social, punën në shtëpi dhe përdorimin e kufizuar të maskave për fytyrën.

Në të njëjtën kohë, Suedia ndaloi vizitat në shtëpitë e të moshuarve, kufizoi numrin e njerëzve të lejuar të merrnin pjesë në takime publike dhe orët e hapjes së bareve dhe restoranteve. Numri i vdekjeve në Suedi prej rreth 15,300 fatalitetesh është brenda mesatares evropiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë