Politike

Basha nis “ofensivën” në bazë dhe pritet me protesta në Fier, Berisha takon demokratët e Shkodrës

Sali Berisha e ka përqëndruar betejën e tij për marrjen e kontrollit të Partisë Demokratike te mbështetja që gëzon në bazë, ndërsa Lulzim Basha është mbrojtur deri më tani me vendimmarrjen përmes institucioneve drejtuese, nga Kryesia te Këshilli e Kuvendi Kombëtar, duke shmangur daljen në bazë.

Basha pretendon se veç institucioneve drejtuese të partisë gëzon edhe mbështetjen e shumicës së demokratëve në bazë, por i ka shmangur takimet me ta duke dhënë arsyetimin se “nuk dëshiron që përçarjen në krye ta transferojë te baza”.

Me përjashtim të një takimi me demokratët në Dibër, që tha se u realizua me kërkesë të tyre, Basha nuk ka zhvilluar takime të tjera me anëtarësinë e partisë. Koha duket se ka ardhur që kreu i PD-së të testojë mbështetjen e anëtarësisë.

Testimi nis nga qyteti i Fierit, ku Basha ka zbritur këtë të diel për të mbatur takimin e parë me demokratët pas vendimit të përjashtimit total nga partia të Sali Berishës dhe disa prej mbështetësve të tij.

Dega e PD-së në këtë qytet është një ndër më të prekurat nga konflikti në qendër mes Bashës e Berishës. Ish-kreu i kësaj dege, deputeti Luan Baçi është rreshtuar në krah të ish-Kryeministrit. Basha e largoi nga posti drejtues i degës dhe në vend të tij emëroi të komanduar Agron Kapllanajn.

Ndryshimet në drejtimin vendor të opozitës nuk kanë kaluar pa shkaktuar pakënaqësi. Lulzim Basha është pritur me protesta nga disa mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha. Të drejtuar nga Luan Baçi, një grup personash u mblodhën para teatrit Bylis të qytetit ,e pankarta “Basha ik”, “Basha na ka prerë në besë”, “Demokratët të bashkohen” e të tjera.

Për të shmangur përplasjen e mundshme mes dy palëve, drejt qytetit të Fierit janë nisur përforcime edhe nga Policia e Vlorës.

Në të njëjtën orë që Basha takon bazën e Fierit, Berisha bën të njëjtën gjë me demokratët e Shkodrës, por pa incidente.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë