Lulzim Basha dhe Sali Berisha zbarkuan në takime me bazën në të njëjtën ditë dhe të njëjtin orar, ku secili prej tyre pretendoi se nga pas gëzon mbështetjen e shumicës së demokratëve.
Basha në Fier dhe Berisha në Shkodër sulmuan njëri-tjetrin me akuza se kush po “i shërben më shumë Ramës”. Ish-kryeministri e cilësoi pasaardhësin e tij në krye të PD-së si peng të Kryeministrit Rama dhe u shpreh i vendosur për ta çliruar, siç tha ai selinë e PD.
“Ky Kryeministër mori peng njeriun që mbështetëm me të gjithë zemër dhe energjinë Lulzim Bravën. Unë shfrytëzoj këtë takim t’iu them shqiptarëve të ndalen dhe të mendojnë; A duhet pluralizmi në Shqipëri? A është pluralizimi motori i demokracisë apo të pranojmë monizmin e shëmtuar?”, tha Berisha në Shkodër.
Basha nga Fieri përsëriti se Berisha është njëra brinjë e trëkëndëshit të së keqes, ku dy të tjerat janë Rama dhe Meta.
“Me vettigun e politikanëve do t’i jepet fund dominimit të 3 dinozaurëv e tranzicionit. Të hapim një faqe që duhet të ishte hapur dekada më parë, atë të pluralizmit të vërtetë. Shqipëria dhe politika e shqiptarëve nuk i takojnë më 3 dinozarëve të tranzicionit dhe për këtë duhet të bëjmë sa më parë vettingun e politikanëve. Secili prej brinjëve të trëkëndëshit të Bermudës ka arsyet e veta se pse nuk e do vettingun”, tha Basha.
Të dy e cilësuan historike 8 janarin, por me arsyetim të kundërt me njëri-tjetrin.
“Po çfarë mund të bëjë më shumë një narko-kryeministër sesa të rrethojë me policë selinë e PD dhe të sulmojë demokratët. Të pajisë bandën e tij me të gjitha mjetet e policisë dhe t’iu vërsulin demokratëve mercenarët se duan të hyjnë në shtëpinë e tyre. A mundet një shtet të servirë për opozitë njeriun që e rrethon me policë dhe kriminelë, njeriun që i mbyll dosje krimi? Kjo nuk mund të ndodhë veçse në Shqipëri”, tha Berisha në Shkodër.
“Kjo është vija është vija e kuqe që u vendos më 8 janar, përkundër vullnetit dhe dëshirës tonë, përkundër këshillave tona, nga Sali Berisha dhe një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje me demokratët. Ata demokratë fatkeq që ishin aty, siç u tha më parë, u përdorën si fasadë për të justifikuar aktin e turpshëm të dhunës”, deklaroi Basha në Fier.
Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe deputetëve që mbështesin Bashën që të distancohen prej tij, ndërsa Basha u bëri thirrje që të distancohen nga grupi i vogël, siç tha, i mbështetësve të Berishës.
“Le të diferencojmë midis tyre dhe grupit të organizatorëve që kishin dhe knë vetëm një synim, të mbrojmë pasuritë e tyre të paligjshme, të mbrojnë pasuritë e vëna në sakrificat dhe gjakun e demokratëve dhe e vetmja mënyë për t’i mbrojtur, është t’i shërbejnë Edi Ramës. Ata nuk mund të jenë kurrë zgjidhja, janë pjesë e problemit, janë bërë pjesë e regjimit, madje pjes më vitale e regjimit, sepse nëse ka diçka që e mban në koma qeverinë e Edi Ramës në koma, është tubi i oksigjenit të asaj pakice orkestruese, ekzektuese dhe ushtruese të dhunës kundër demokratëve të demokratëve dhe Partisë Demokratike”, tha Basha.
Që të dy premtuan se do ta vijojnë aksionin e tyre, Berisha me mision siç e quan “çlirimin e PD” dhe rikthimin e pluralizimit e mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, Basha me mision “dhënien fund të tranzicionit”.
“Të jeni të sigurt se ne kurrë nuk do të braktisim interesat e shqiptarëve. Ne kurrë nuk do të braktisim idealet tona! Ne do ta çlirojmë atë godinë nga pengu i qeverisë”, tha Berisha.
“Dua t’iu ftoj, këtu nga ju, dhe dua t’i ftoj nga Fieri të gjithë demokratët kudo që janë dhe që do shkoj t’i takoj nga Jugu në veri, qytet më qytet, fshat më fshat, le ta lëmë të shkuarën pas, sepse ne kemi zgjedhur të ardhmen dhe kjo do të thotë që kemi detyra të mëdha përpara. Detyra e parë që kemi, është që shumicën dërrmuese të shqiptarëve që e priste dhe e dëshironte ndryshimin më 25 prill t’i themi mos e humbni besimin tek Shqipëria, mos e humbni shpresën për veten tuaj dhe fëmijët tuaj. Mos u dorëzoni para një pakice!”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje