Politike

Sanksionet nuk janë zgjedhja e parë, Escobar: Por do të godasim individë edhe në të ardhmen në Ballkan

Sanksionet nuk janë zgjedhja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër korrupsionit, por ato mbeten një mjet efektiv që paralajmërohet se do të aplikohet edhe ndaj personave të tjerë në të ardhmen.

Kështu ka deklaruar zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

“Kemi shumë mundësi e mjete për të avancuar agjendën e partnerëve tanë dhe aspiratat e qytetarëve (të Ballkanit Perëndimor) për të jetuar në një vend të çliruar nga korrupsioni dhe për t’u anëtarësuar në BE. Megjithatë, kjo administratë është e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe mes mjeteve në këtë luftë janë edhe sanksionet. Prandaj, po! Do të ketë sanksione të tjera, por këto sanksione nuk do të godasin vendet, por do të shënjestrojnë individë të përfshirë thellësisht në afera korruptive, apo nisma destabilizuese për rajonin”, tha Escobar.

Në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, zyrtari i DASH tha se SHBA do të vazhdojë të mbështesë dhe nxisë atë nga jashtë duke vazhduar që ndërmjetësimin dhe lehtësimin e këtij procesi t’ja lejojë Bashkimit Europian.

“Ne besojmë e palët duhet të arrijnë një marrëveshje brenda kornizës së dialogut të udhëhequr nga BE dhe në këtë drejtim çfarëdo që dy vendet të arrijnë ne do të mbështesim zbatimin”, tha Escobar.

Për situatën në Mal të Zi, Escobar tha se partia serbe “Fronti Demokratik” nuk është një partnere e SHBA.

“Është e provuar që kjo parti provokon dhe nxit përçarje e tensione ndëretnike, bllokon në parlament reformat dhe rrjedhimisht edhe rrugën drejt anëtarësimit në BE”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë