Ambasada gjermane në Tiranë zbardh mesazhin e parë të ministres së Shtetit, Anna Lührmann, e cila zhvillon nesër vizitën e parë zyrtare në Shqipëri, ku në fokus të diskutimeve është pikërisht integrimi drejt BE-së.
Në mesazhin e saj para udhëtimit drejt Tiranës e Shkupit, ministrja gjermane për Evropën ka deklaruar se të dyja vendet i kanë përmbushur kushtet për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit, ndaj dhe sipas saj, duhet të nisin menjëherë bisedimet.
“Gjermania mbështet seriozisht perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE: Bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian duhet të nisin menjëherë. Të dy shtetet i kanë përmbushur kushtet për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Ne kemi dhënë fjalën. Për rrugëtimin e mëtejshmën drejt Bashkimit Evropian vazhdon të jetë me rëndësi vendimtare vijimi me vendosmëri i reformave dhe qeverisjes së mirë.“
Ministrja e Shtetit Anna Lührmann do të qëndrojë në datat 17 dhe 18 janar në Shkup dhe Tiranë për të zhvilluar biseda politike”, njofton ambasada gjermane.
Në Shqipëri Ministrja e Shtetit do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, zv.Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Megi Fino si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Rrjetit Rinor Rajonal RYCO Albert Hani. Në fokus të shkëmbimit gjatë bisedave do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi rajonal dhe programi i Shqipërisë si vend anëtar i ri jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ministrja e Shtetit Lührmann do të takohet gjithashtu edhe me përfaqësues të shoqërisë civile për të biseduar ndër të tjera rreth mbrojtjes së klimës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje