Politike

Debati brenda PD zhvendoset në Kuvend/ Deputetët e përjashtuar kundër, Noka: Vendimi është nul. Nikolla: Respektova rregulloren

Debati brenda PD-së është zhvendosur në seancën e parë të punimeve të Kuvendit për vitin 2022, kur kryeparlamentarja Lindita Nikolla lexoi shkresën e depozituar zyrtarisht nga grupi parlamentar i PD-së për përjashtimin e katër deputetëve; Albana Vokshi, Luan Baçi, Flamur Noka dhe Edmond Spaho.

 Asnjeri prej tyre por edhe deputetë të pezulluar si Belind Këlliçi dhe Oerd Bykykbashi nuk e kanë pranuar vendimin në fjalë, duke i kërkuar Nikollës që të mos e marrë parasysh pasi në tryezën e saj ka edhe një shkrese tjetër dërguar nga komisioni i Rithemelimit.         

“Ka vetëm një organ statutor të ligjshëm të miratuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit ai i Komisionit të Rithemelimit. Çdo dokument që ju vjen nga shoqata e bravave dhe shulave është nul”, tha Noka.

Ka replikuar Lindita Nikolla e cila është shprehur se në bazë të rregullores ajo ka të drejtë vetëm t’ia përcjellë për votim seancës çdo kërkesë që vjen zyrtarisht nga grupi parlamentar dhe se ajo nuk ka kompetence të interpretoje vendimmarrje të partive politike.   

“Ju bëj me dije se kam marrë për dijeni kërkesën që rregullorja me përcakton kufijtë në të cilat duhet të veproj dhe të shqyrtoj gjithë procedurat parlamentare dhe janë grupet parlamentare dhe unë sot bëra atë që me thotë rregullorja konkretisht atë që grupi parlamentar i PD-së ka përcjellë. Nuk kam asnjë kundërargument dhe asnjë debat me ju”, replikoi Nikolla që u kundërshtua me pas nga Belind  Këlliçi që i lexoi një tjetër nen te rregullores që lidhet me vendimmarrjen personale të çdo deputeti.

Por Taulant Balla kujtoi me pas se procedura të tilla ka pasur gjithmonë, duke sjellë ndër mend përjashtimin e Spartak Ngjelës nga grupi i PD-së apo ai i deputeti të ndjerë Gilman Bakalli, një qëndrim ky që u kundërshtua sërish nga Noka.

“Grupi parlamentar ia ka përcjellë për dijeni kryetares, një vendim për të cilën kryetarja e Kuvendit ka për detyrë t’ia përcjellë seancës për votim”, reagoi sërish Nikolla.

“Nuk e kisha menduar që Lulzim brava do të na sillte në kohën e diktaturës kur përjashtohen njerëz nga partia, internohen. Unë tani po pres edhe fshatin ku do më internojë”, reagoi më herët deputeti i përjashtuar Edmond Spaho.

“Nuk është procedurë kjo, nuk ka komente politike, por referojuni nenit të rregullores”, u shpreh Nikolla.

“Nuk më përjashton dot mua njeri nga grupi parlamentar i PD. Unë në PD kur kam hyrë kur kam tërhequr me zinxhir Leninin, Lulzim brava erdhi ministër. Shqiptarët duhet ta dinë se njerëzit nuk kanë të ardhme me këtë. Me një njeri që përpiqet të mashtrojë anëtarësinë e PD”, vijoi Spaho.

E ka kundërshtuar këtë vendim edhe deputeti i PD Oerd Bylykbash që rezulton i  pezulluar sipas vendimit të Këshillit Kombëtar të PD.

“Ju jeni në kundërshtim me ligjin. Ne jemi deputetë të Republikës së Shqipërisë dhe Kushtetua përcakton që mandati ynë është i pakushtëzuar. Deputetët formojnë grupin parlamentar dhe jo partitë. Grupet parlamentare formohen mbi bazën e rezultateve të deklaruara nga KQZ, i cili ka emër për emër përbërjen e grupit parlamentar. As ju dhe as ky Kuvend nuk e ndryshon dot. E vetmja mundësi që jep rregullorja kur deputeti largohet me dëshirë nga grupi, askush nuk është larguar. Ju keni bërë vetëm një njoftim, njoftim i paligjshëm, personat që e kanë sjellë nuk kanë asnjë funksionon. Ne kemi zgjedhur të kandidojmë, jemi zgjedhur me PD, jemi deputetë të PD. Ju ftoj si kryetare e Kuvendit dhe maxhorancën dhe kolegët e mi, qe ta refuzojnë shkeljen e Kushtetutës dhe Rregullores, përndryshe këtu në parlament vendoset një precedent i rrezikshëm që cenon përfaqësimin”, deklaroi Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë