Në konferencën e përbashkët për shtyp me Edi Ramën, Presidenti turk Recep Taip Erdogan nuk e fshehu faktin se ai është ende i shqetësuar për aktivitetin e gylenistëve në Shqipëri, që siç tha, fatkeqësisht po gjejnë ende terren.
“Fakti që FETO gjen ende terren në Shqipëri është e rëndë për popullin turk, që u martirizua për të ndalur grushtin e shtetit. Presim që të ndërmerren hapa më konkretë dhe më të shpejtë kundër strukturimit të FETO-s në Shqipëri”, tha Erdogan.
Shqetësimin për gylenistët Erdogan e përcolli edhe në fjalën e mbajtur para Kuvendit. Këtu, pasi përshëndeti marrjen e detyrës si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, Erdogan tha se Turqia do t’i qëndrojë gjithmonë pranë popullit shqiptar, por kusht që këto marrëdhënie të mos cenohen është lufta ndaj FETO-s, që Ankaraja e konsideron organizatë terroriste.
“Populli turk qëndron me atë shqiptar siç ka qenë gjithmonë. Por, ne nuk duhet të lejojmë që prania e organizatës FETO të errësojë marrëdhëniet tona dhe për këtë arsye dhe në vizitat e ardhshme që do të zhvilloni në Turqi, lufta ndaj tyre të ketë marrë një formë të prerë”, u shpreh Erdogan.
Erdogan tha se marrëdhëniet me Shqipërinë janë speciale dhe deklaroi se kjo marrëdhënie nuk ka pse të shqetësojë askënd në Bashkimin Europian.
“Është një marrëdhënie e sinqertë dhe të gjithçka e bëjmë bazuar në rregullat e vëllazërisë dhe do të vazhdojmë restaurimet dhe ndërtimet e reja”, u shpreh Erdogan.
Kësaj linje i mëshoi edhe Kryeministri Edi Rama.
“Nuk besoj se kushdoqoftë në Shqipëri apo BE duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes dy vendeve sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale. Edhe në kohën kur Shqipëria ishte një vend i mbyllur, prapë marrëdhënia me Turqinë ishte aty si një vazhdimësi e një tradite. Kur vjen puna te marrëdhënia ime me Erdogan, e përsëris nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, përkundrazi janë për të qeshur ato që thuhen. Ne jemi me Shqipërinë, as me BE, e as me Turqinë e pikërisht se jemi me Shqipërinë jemi miq të ngushtë me Turqinë dhe aleatë me SHBA e BE-në. Po e mbyll me një fjalë që Presidenti ma kujton shpesh: Në fund të ditës çdo vendimmarrje e jotja është për Shqipërinë e shqiptarët, e nuk është as për Turqinë e aspak për të tjerët”, tha Rama.
Rama dhe Erdogan firmosën shtatë marrëveshje të reja në disa fusha, ndërsa Presidenti turk e këshilloi kryeministrin që të shkrijë në një të vetme ministrinë e Kulturës dhe atë të Turizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje