Politike

Gjermania shtyn përpara negociatat: Ballkani i Hapur, “Ok” nëse përfshihen të gjashta vendet

Qeveria e re gjermane konfirmoi edhe në Tiranë qëndrimin e saj se hapja formale e negociatave për Shqipërinë është e vonuar dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare nuk duhet të shtyhet më tej.

“Që prej marrjes së detyrës së re në bisedat e mia në Bruksel, e kam diskutuar këtë çështje që të ecim përpara në nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, muajin e ardhshëm ne do e diskutojmë në forumet në Bruksel, dhe në të ardhmen e afërme do bëjmë përpara në këtë drejtim. Për ne ka rëndësi që të ecim sa më shpejt në këtë rrugë në nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kemi marrë sinjale pozitive dhe nga Bullgaria që të gjejmë në një moment sa më të afërm për një zgjidhje sa më të përshtatshme”, deklaroi në Tiranë, ministrja gjermane për Europën, Anna Luhrman.

Në lidhje me Ballkanin e Hapur, qëndrimi i Gjermanisë mbetet gjithashtu i njëjtë. Nisma mbështetet parimisht, por Berlini kërkon që në të të përfshihen të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Mbështesim nismat e bashkëpunimit ku të përfshihen të gjashta vendet. Nismat duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Katër liritë e mëdha, ajo e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, janë thelbësore për zhvillimin e rajonit”, tha Luhrmann.

Ministrja gjermane deklaroi se e ardhmja europiane e rajonit është e padiskutueshme. Luhrmann foli gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin, Arben Ahmetaj. Ahmetaj vuri theksin te dakordësia e 27 vendeve anëtare kur bëhet fjalë për hapjen e negociatave për Shqipërinë.

“Sot që flasim nuk ka asnjë vend anëtarë të BE që të ngrejë një problematikë në Shqipëri, që të pengojë hapjen e negociatave, edhe pse Komisioni e konfirmon këtë, akoma besoj në 6 muajt e ardhshëm shpresojmë të kemi hapjen formale të negociatave, në bazimin e meritës ku Shqipëria i ka plotësuar detyrat e shtëpisë”, u shpreh zv.Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë