Përveç betejës me deklarata, protesta e antiprotesta që po zhvillohet mes Berishës e Bashës dhe mbështetësve përkatës të tyre, që tashmë ka zbritur deri në bazë një tjetër front përplasjeje, më i heshtur, por për nga rëndësia vendimtar për kontrollin e partisë vijon juridikisht.
“Mejdani” këtë herë është në Gjykatën e Tiranës, ku në muajin dhjetor kanë mbërritur dy kërkesa me të njëjtin objekt, por me përmbajtje përjashtuese ndaj njëra-tjetrës.
Kërkesa e parë është ajo e dorëzuar nga Lulzim Basha për të regjistruar statutin e Partisë Demokratike të miratuar fillimisht pas ndryshimeve që pësoi ai në korrik të vitit të kaluar.
Kërkesa e dytë është e Komisionit të Rithemelimit, ngritur në Kuvendin e 11 dhjetorit, që ka dorëzuar statutin me ndryshimet e vendosura në këtë Kuvend, mes të cilave edhe shkarkimi i Lulzim Bashës si kryetar.
Basha nuk e njeh Kuvendin e 11 dhjetorit dhe rrjedhimisht as vendimmarrjen e tij. Por, fill pasi gjykata t’i regjistrojë statutin e korrikut, do të dorëzohet për regjistrim statuti dhe ndryshimet e tij të Kuvendit të 18 dhjetorit.
Gjykata e Tiranës ka marrë formalisht në shqyrtim si kërkesën e Bashës, ashtu edhe të Berishës. Për kërkesën e Bashës për regjistrimin e statutit të votuar në Kuvendin e korrikut 2020, gjykata ka caktuar datën 15 shkurt dhe gjyqtare është Blerina Muça.
Ndërkohë, për kërkesën e dorëzuar nga Komisioni i Rithemelimit, përveç njoftimi se ka marrë në shqyrtim këtë kërkesë, gjykata nuk ka përcaktuar ende një datë se kur do të vendosë për këtë.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës mund të mos jetë përfundimtar, pasi ai mund të apelohet nga pala e pakënaqur me këtë vendim, por ai mund të rezultojë vendimtar se kush do ta drejtojë e përfaqësojë, të paktën juridikisht Partinë Demokratike me gjasë të paktën deri në zgjedhjet vendore, qofshin ato të pjesshme në gjashtë bashkitë pa kryetar, qofshin në të gjithë vendin vitin e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje