Vendimi i Kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç për t’i kërkuar Parlamentit shkarkimin e zv.Kryeministrit Dritan Abazoviç e ka futur në ujëra të turbullta dhe edhe më shumë të panjohura krizën politike në Podgoricë.
Ndërkohë, opozita socialdemokrate e Presidentit Milo Gjukanoviç ka mbështetur votëbesimin e nisur nga Abazoviç ndaj gjithë kabinetit qeveritar.
Parlamentit prej 81 vendesh i duhet fillimisht që të vendosë për propozimin e kryeministrit Krivokapiç për shkarkimin e Abazoviç dhe më pas të votohet në lidhje me votëbesimin e opozitës, që pas këtyre zhvillimeve pritet që të mbështetet edhe nga katër deputetët e lëvizjes URA të Dritan Abazoviç.
Parlamenti do të mblidhet më datë 3 shkurt për të shqyrtuar dy kërkesat. Deri atëherë shumë gjëra mund të ndryshojnë, por me balancat aktuale, qeveria proserbe e Zdravko Krivokapiç nuk e gëzon më mbështetjen e shumicës së deputetëve.
Vetë partia Fronti Demokratik i Krivokapiç ka në Parlament 27 anëtarë dhe shumicën prej 41 votash në Kuvend e ka të siguruar përmes një koalicioni kompleks e të vështirë me 4 deputetët e Dritan Abazoviç dhe koalicionin “Paqja”, të drejtuar nga Aleksa Beçiç.
Shkarkimi i mundshëm i Abazoviç do të pasonte tërheqjen e lëvizjes URA nga koalicioni qeveritar dhe për rrjedhojë humbjen e shumicës në parlament për qeverinë e Zdravko Krivokapiç.
Nga kjo mund të përfitojnë socialdemokratët e Milo Gjukanoviç, që në Parlament vetë kanë 30 mandate dhe së bashku me URA-n e Dritan Abazoviç dhe aleatët e vet tradicionalë mund të sigurojë një shumicë komode prej 44 votash.
Por, në këtë skenar do duhet parë se sa janë të gatshëm që të lëshojnë pushtet socialdemokratët dhe a do të këmbëngulë Dritan Abazoviç te ideja e një qeverie pakice, që me gjasë do ta bënte atë Kryeministër të vendit.
Ideja e Qeverisë së pakicës kundërshtohet nga Zdravko Krivokapiç, që sheh si zgjidhje ose votëbesimin e kabinetit të tij të ri qeveritar pa Abazoviç, ose zgjedhje të parakohëshme që duhet të mbahen në muajin maj.
Ndërkohë, idenë e qeverisë së pakicës e ka mbështetur BE dhe SHBA. Uashingtoni ka deklaruar haptazi përmes zv.ndihmëssekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar se Fronti Demokratik i serbëve të Zdravko Krivokapiç nuk “është partner” i tij në Mal të Zi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje