Politike

NATO nis investimin 50 mln eurosh në Kuçovë

Investimi 50 milionë eurosh i NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës është nisur zyrtarisht këtë të enjte, pas përfundimit të procesit të shpronësimit të banorëve që preken nga zgjerimi dhe modernizimi i kësaj baze.

Projekti do të shndërrojë bazën në një bazë taktike të Aleancës brenda standardeve të saj. Në fjalën e mbajtur në nisje të punimeve, Kryeministri Edi Rama tha se kjo bazë do të jetë një mundësi e shkëlqyer për ushtrinë shqiptare në ngritjen e kapaciteteve kombëtare de modernizimin e forcave ajrore.

Po në këtë fjalim, Rama foli për një tjetër projekt që Shqipëria synon të përthithë po në kuadër të NATO-s.

“Jemi duke folur për një projekt për krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë NATO-n. Falë vullnetit, pozicionit strategjik dhe gjeografik për t’i dhënë Shqiëprisë një përmasë tjetër e mund ta bëjmë realitet këtë që sapo thashë. Ambicia jonë është që kjo stërvitje të lidhë çdo dy vjet veprimtarinë e FA në kuadër të NATO-s”, deklaroi ai.

Sa i takon investimit në Kuçovë, Rama foli edhe për ndikimin pozitiv joushtarak të tij.

“Do zbatohen 5 projekte të ndara në 3 paketa të rëndësishme financiare, që përveç përfitimeve në aspektin strategjik e ushtarak do të impaktohet dhe ekonomia dhe në aspektin social zona e Kuçovës do të ketë një përfitim si të ardhur nga qielli në këtë rast”, tha ai.

E pranishme në ceremoninë e nisjes së punës ishte edhe Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë