Politike

Macron “kryqëzohet” për fjalimin në PE: Shumë zhurmë për asgjë

Për kritikët e kundërshtarët e tij brenda dhe jashtë Francës, Emmanuel Macron nuk zhgënjeu as këtë herë. Fjalimi i tij para Parlamentit Europian për të ardhmen e Bashkimit Europian u përqëndrua në thelb te e ardhmja e tij si person në politikë.

Egoist e arrogant e cilësuan opozitarët në Francë fjalimin e Presidentit të tyre në Strasburg, të njëanshëm, sipërfaqësor e retorik e vlerësuan kritikët e kundërshtarët në Bashkimin Europian.

Macron prezantoi të mërkurën në fjalimin e tij në PE prioritetet e presidencës franceze të BE, që këtë herë rastis me zgjedhjet presidenciale të prillit në Francë. Macron ende nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për një mandat të dytë, por pritet që ta bëjë së shpejti.

Për të mos dëmtuar ambicien dhe shpresat e rizgjedhjes si President i Francës, fjalimi para PE u kushtëzua në gjetjen e një balance mes presionit për të thënë ato që dëshiron të dëgjojë shumica e francezëve dhe presionit të Brukselit ndaj Macron se BE po humbet besueshmërinë në arenën ndërkombëtare. Ajo që prodhoi ky fjalim ngjasonte më shumë me “bëni si them unë, por jo si bëj unë”.

Macron foli për ekonominë e BE, zgjerimin, sigurinë, politikat sociale, emigrantët, marrëdhëniet me Rusinë, tregtinë e shumë çështje të tjera që shqetësojnë bllokun, por pa thënë asgjë të re. Për zgjerimin, ai konfirmoi qëndrimin që Franca mban prej vitesh tashmë, duke bllokuar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mënyra se si e tha nuk ndryshoi. Macron u shfaq njëkohësisht edhe “europian”, edhe “euroskeptik”. Ai përsëriti perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, por nuk përmendi ndonjë datë për hapjen formale të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për më tepër tha se BE nuk ka qenë e sinqertë deri më tani në lidhje me afatet e anëtarësimit që u ka dhënë vendeve kandidate.

Afatet janë relative dhe këndvështrimi për to ndryshon edhe vetë brenda BE-së. Si shembull, Hungaria, Kroacia e Italia e cilësojnë të vonuar këtë proces, që për Macron konsiderohet i parakohshëm. Me këtë arsyetim Franca ka bllokuar ecurinë e integrimit për Ballkanin Perëndimor sa herë që vendi ka qenë para zgjedhjeve.

Historia po përsëritet edhe në këtë rast, ku mes prioriteteve të Presidencës franceze të BE-së nuk qëndron te pjesa e zgjerimit dialogu me Bullgarinë për heqjen e vetos së vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut, sepse e vendosur në këto kohë, kjo veto i shkon për shtat Macron.

Zgjerimi nuk është një temë e preferuar në Francë, ku sondazhet tregojnë se vetëm 30 për qind e qytetarëve e mbështesin. Tema të preferuara për francezët mbesin forcimi i masave kundër emigrantëve, mbrojtja sociale, ndryshimet klimatike dhe taksimi i kompanive të mëdha të teknologjisë. Këto ishin edhe temat e preferuara që u trajtuan më gjatë në fjalimin e Macron, fjalim që nxiti akuza në vendlindje nga kundërshtarët e tij politikë se po përdor Presidencën e BE për fushatë elektorale në Francë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë