Bota

SHBA-të dhe Gjermania në alarm për Ukrainën, Rusia shton aktivitetin ushtarak

Gjendje alarmi për krizën në Ukrainë, ekziston frika për “pasoja globale”. “E dimë që do të ishte një përfundim katastrofik, nëse e lejojmë të ndodhë”, – shpjegon Sekretari i Shtetit amerikan, Antoni Blinken, i cili po viziton Berlinin.

Një vizion të njëjtë ka edhe ministrja e Punëve të Jashtme gjermane, Analena Baerbok, e cila kërcënon me sanksione të rënda Rusinë, nëse ajo nuk dëshiron të bashkëpunojë për një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, i kërkojnë njëzëri Rusisë të bëjë hapat e duhur në administrimin e krizës me Ukrainën. Në konferencën e shtypit në Berlin, Blinken ka theksuar: “Partnerët flasin me një zë, kur bëhet fjalë për Rusinë. Ky unitet na jep forcë”.

“Për sigurinë e Ukrainës kemi një vlerësim të përbashkët”, – ka shtuar ministrja gjermane Analena Baerbok. Edhe për sanksionet ajo ka thënë se ka një qëndrim të përbashkët. “Do të ketë kosto të larta për Moskën, nëse zgjedh rrugën e agresionit në Ukrainë”, – ka qartësuar më tej përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe më parë ShBA-të e kanë bërë të qartë se Rusia do të përballet me pasoja të mëdha, nëse sulmon Ukrainën. Blinken ka precizuar se për momentin objektivi amerikan është dialogu dhe jo agresioni. Rusia deri tani ka treguar se flet një “gjuhë tjetër”, duke parë që aktivitetet ushtarake të saj po shtohen.

“Nëse diplomacia dështon, po studiohen sanksionet më efikase, që të kenë vërtet një impakt”, – ka theksuar ministrja gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë