Socialistët nuk do të nguten për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë për shkarkimin e Ilir Metës në seancën e parashikuar për t’u mbajtur në fillim të muajit shkurt.
Sipas deklaratave të bëra nga kryesocialisti Edi Rama në mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist për këtë vit, shumica do të vijojë me afatet normale procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, që fillojnë në muajin prill.
Në fjalën e tij para deputetëve, Rama nënkuptoi gjithashtu se për emrin e ri të Presidentit të Republikës nuk do të dialogojë me Partinë Demokratike, por me qytetarët.
“Do të na duhet të zgjedhim Presidentin në prill dhe do ta zgjedhë ky grup parlamentar. Komplikimi i skajshëm i situatës në PD na e bën të vështirë se me kë ta kërkojmë dialogun. Prandaj, duhet të mendojmë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje”, tha ai.
Rama ngarkoi deputetët me detyrën që të marrin nga qytetarët identikitin e pasuesit të Ilir Metës dhe këtu nuk përjashtoi që kandidati, apo kandidatja të vijë nga jashtë Shqipërisë.
“Duhet të marrim mendimet e njerëzve mbi figurën e re të Presidentit, ose Presidentes. Kemi përgjegjësinë e madhe qytetare, e politike që t’i japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë. Do ta gjejmë këtu brenda territorit tonë, por edhe territorit shpirtëror të kombit shqiptar, se mund të jetë edhe jashtë Shqipërisë. Por, detyrimin e kemi të zgjedhim një njeri normal. Prandaj unë do t’ju lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens dhe kushdo që ka ndonjë ide ta ndajë atë me drejtuesit e grupit”, tha Rama.
Ilir Metës i mbaron mandati më 24 korrik. Nisja e procedurave për pasuesin e tij në muajin prill nënkupton se socialistët po përgatiten për një vendim kundër shkarkimit të Metës nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ose edhe nëse Meta shkarkohet, detyrën e tij deri në zgjedhjen e Presidentit të ri në muajin prill do ta kryejë Lindita Nikolla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje