Prej disa ditësh me kërkesë të aleatëve, por edhe ndonjë deputeti të PD-së po përflitet se e vetmja mundësi që opozita të jetë e fortë përballë Edi Ramës në zgjedhjet e pjesshme lokale është dalja me kandidatë të përbashkët.
Që do të thotë se Basha dhe Berisha duhet të lënë mënjanë mëritë për pak kohë dhe në gjashtë bashkitë e vendit të diskutohet për një kandidat dhe jo për dy. Kjo thirrje ka ardhur nga Durrësi nga kryetari i PAA-së, Agron Duka i cili e njeh mirë situatën në atë qark dhe deputeti i PD-së së Lushnjës, Saimir Korreshi, duke iu referuar një tjetër bashkie në garë, Lushnjës.
Edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu ka kërkuar që të gjitha palët të ulen në një tryezë, sepse vetëm në këtë mënyrë sipas tij mund të ketë një garë të fortë përballë Edi Ramës në garën për gjashtë bashkitë.
Ndërkohe të hënën ka mbaruar edhe afati i depozitimit të kandidaturave nga procesi që është hapur nga Komisioni i Rithemelimit dhe vetëm pas disa ditësh pritet që të përfundojë votimi i emrave nga baza e PD-së.
Në gjithë këtë proces, palët po veprojnë paralelisht, ndërkohë që një prej anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, Flamur Noka ka mohuar deri më tash të ketë negociata me grupin e Bashës për kandidaturat.
“Negocimi për kandidatët me Lulzim Bravën është negociatë me Edi Ramën. Partia Demokratike, Komisioni i Rithemelimit do të dal me kandidatë në të 6 Bashkitë dhe nuk do të ketë asnjë negociatë me Lulzim Bavën’, tha Flamur Noka i pyetur për këtë çështje.

“Vetëm nëpërmjet Primareve do të përcaktohen kandidatët e PD për 6 Marsin.
Keqpërdorimi nga deputeti Basha & Co i ndonjë ‘sigle’, vule, a diçka tjetër të pa miratuar nga Kuvendi 11 Dhjetorit, do të ishte një shtrëmbërim i realitetit, për tu bërë “patericë” e Ramës e ‘vrasës’ i pluralizmit edhe në këto zgjedhje, duke u vendosur kështu në një front me atë përballe opozitës…”, komenton edhe anëtari tjetër i Komisionit të Rithemelimit, deputeti Tritan Shehu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje