Sali Berisha deklaron se kandidatët e grupimit të tij brenda Partisë Demokratike do të dalin në të gjashtë bashkitë ku mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore më 6 mars, duke përjashtuar çdo mundësi që në ndonjërën prej këtyre bashkive t’i lihet fushë e lirë PD-së zyrtare.
Përmes gjashtë pikave të shkurtra në rrjetet sociale, Berisha shkruan se baza e përzgjedhjes së kandidatëve do të jenë primaret, pra votimi nga anëtarësia e Partisë Demokratike. Por, ajo që nuk sqaron ish-Kryeministri është se si do të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve zyrtarisht më të votuarit nga baza në këto primare.
“Ne kemi vendosur që në këto zgjedhje për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë të marrim pjesë. Kandidatët tanë do t’i përcaktojnë anëtarët. Pra, do të bëhen zgjedhjet në struktura dhe kandidatët më të votuar do të jenë zyrtarisht kandidatë”, shkruan ai.
Sipas Berisha, kjo formulë mundëson që kandidatët të zgjidhen e vendosen nga qytetarët dhe as nga vetë ai, as nga Kryesia e partisë.
“Ky proces është i ngjashëm me primaret në SHBA dhe është i dëshmuar si më i suksesshmi, transparenti dhe besojmë se do të sjell rezultatet më të mira për ne. I ftoj edhe njëherë të gjithë anëtarët që të bëhen pjesë e këtij procesi për t’i dhënë legjitimitetin e duhur secilit kandidat. Lista jonë padyshim se do të jetë listë fituese e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme në secilin kuptim të fjalës”, shkruan Berisha.
Për regjistrimin e kandidaturave, Berishës i kanë mbetur dy rrugë; ose të mbledhë firmat e 1 për qind të zgjedhësve të secila bashki ku mbahen zgjedhjet dhe t’i regjistrojë si të pavarur në KQZ, ose t’i regjistrojë nën siglën e ndonjë partie tjetër, ku këto ditë është përfolur për një koalicion të mundshëm me LSI-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje