Ajo që përflitej e qarkullohej nën zë pas dekretit të Presidentit Ilir Meta për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme vendore më 6 mars, tashmë thuhet edhe zyrtarisht nga Partia Demokratike zyrtare.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi thotë se dekretimi i zgjedhjeve është plan i Sali Berishës dhe Ilir Metës për të dëmtuar këtë parti.
“Dekretimi i beftë i zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës ka pasur një qëllim, për të vënë në vështirësi PD. Presidenti do të duhej të bënte atë që kishte premtuar, t’i shkonte deri në fund të provuarit se ne 30 qershor u bënë zgjedhje të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Do të duhej t’i ishte nënshtruar vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Bardhi në një intervistë televizive.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së thotë se Kushtetuesja nuk ka legjitimuar 30 qershorin.
“Nuk ka thënë se këto zgjedhje ishin kushtetuese apo të ligjshme. Ka thënë se subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por Presidenti i Republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit qe ta inicionte procesin në këtë gjykatë”, shtoi Bardhi.
Dekretin për shpalljen e zgjedhjeve pa konsultim, Bardhi e interpreton si të pashoq në historinë e Presidentëve shqiptarë.
“Presidenti, në mënyrë të beftë, pa u konsultuar, për herë të parë në këto 30 vjet, me partitë politike të opozitës, asnjë President nuk ka dekretuar zgjedhje pa e bërë këtë konsultim…Nuk është detyrim, por është një standard i mirë i vendosur nga Presidentët. Nuk mund të ndodhë që të konsultohesh me qeverinë dhe jo me opozitën”, vijoi Bardhi.
Sipas numrit dy të PD-së, mungesa e konsultimit qartazi tregon se zgjedhjet më 6 mars u shpallën për të dëmtuar opozitën.
“Qëllimi i vetëm, për fat të keq, i koordinuar i zotit Meta me segmente të PD, është në unison me zoti Berisha, ka paturpësi dhe qëllim të vetëm; të vendosë në vështirësi PD”, shtoi ai.
Gjithsesi, Bardhi u shpreh se PD do të marrë pjesë në zgjedhje dhe është duke përmbyllur procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në të gjashtë bashkitë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje