Avokat i daljes nga euro, promotor i skenarëve për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në politikë, ish-magjistrati Paolo Maddalena ishte kandidati me i votuar seancën e parë të votimit në Itali për postin e Presidentit.
Në fund të raundit të parë të votave, emri i Maddalena ishte më i votuari me 36 vota.
I lindur në Napoli në vitin 1936, Maddalena ka qenë profesor universiteti, studiues, autor i eseve ligjore, gjyqtar i Gjykatës së Audituesve por mbi të gjitha i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2002 deri në vitin 2011. Që nga viti 2017 ai është në pension dhe është një nga themeluesit e shoqatës “Zbatoni Kushtetutën”.

Por popullariteti i Maddalena-s është për shkak të qëndrimit të tij të palëkundur kundër euros dhe ekonomisë së tregut të lirë.
“Sistemi neoliberal do që e gjithë pasuria të përqendrohet në duart e disave: autostradat, frekuencat televizive, uji, rrugët ajrore. Problemi i parë real me të cilin përballemi, për të dalë nga kriza mjedisore, shëndetësore dhe ekonomike në të cilën kemi rënë, është ai që ka të bëjë me çështjen shumë të rëndësishme, por çuditërisht të neglizhuar, të ‘krijimit të parave nga asgjëja” . Zgjidhja? Lindja e një “monedhe paralele”.
“Afirmimi i mendimit të vetëm mbizotërues të neoliberalizmit ka si objektiv shkatërrimin e shtet-komunitetit, copëtimin e popullsisë, duke e bërë atë sa më individualiste dhe pa ndjenjën e solidaritetit, duke e shtyrë në një grindje të vazhdueshme”.
Ndër qëndrimet e tij më të qarta janë jo-ja për privatizimin e Alitalia-s.
Në raundin e parë të votimit kishte edhe emra të njohur kandidatë për president në fushën e medias dhe artit si Bruno Vespa apo Amadeus edhe pse votat për ta kane qenë thjesht simbolike. Në raundin e parë kaluan për votim mbi 60 kandidatë, ndër ta nuk ishte ende ne lojë emri i kryeministrit aktual, Mario Draghi.
Rregullat kërkojnë një shumicë prej 2/3 për të fituar në tre raundet e para dhe një shumicë të thjeshtë më pas.
Pergatiti: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje