Politike

Dy ligje pengojnë Ballkanin e Hapur, PS propozon ndryshimin e tyre në Kuvend

Prej datës 1 janar të këtij viti kanë hyrë në fuqi marrëveshjet e nënshkruara me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur. Por, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka hasur në pengesa nga legjislacioni shqiptar në fuqi.

Për këtë arsye, në Kuvend janë depozituar disa ndryshime në dy ligje, atë për shërbimin veterinar dhe në ligjin për ushqimin. Në ligjin për shërbimin veterinar propozohen ndryshimet në 13 nene, sipas propozimit të dorëzuar nga deputeti socialist, Arben Pëllumbi.

Ndryshimet heqin detyrimin për të kontrolluar nga shërbimi veterinar shqiptar eksportet shqiptare të kafshëve të gjalla, produkteve mjekësore veterinare, produkteve embrionale të kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, të cilat mund të transmetojnë sëmundje infektive në rastet e marrëveshjeve dy apo me më shumë palë, si në rastin e Ballkanit të Hapur.

Sipas shtesës së propozuar nga Arben Pëllumbi, ky kontroll veterinar kryhet në doganën e vendit që ka për destinacion produkti. Si shembull, në rastin e produkteve shqiptare që eksportohen në Serbi, nga pala serbe dhe në rastin e produkteve serbe që importohen nga Shqipëria nga pala shqiptare.

Gjithashtu, ndryshimet cekin edhe procedurat e importit dhe të sigurisë së produkteve mjekësore veterinare, përmes dy pikave në nenin 89 të ligjit që duken kontradiktore me njëra-tjetrën. Në shkronjën B të pikës 1 të këtij neni flitet për çregjistrimin e certifikatave për tregtim të këtyre produkteve në rastet kur nuk kanë certifikata tregtimi në një nga vendet e BE-së, ose të lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave.

Por, në pikën dy të këtij neni i hapet sërish rruga shitjes së këtyre produkteve përmes një rregulloreje përkatëse që duhet të nxirret në zbatim të këtij ligji, pa përcaktuar se cili është autoriteti përgjegjës për nxjerrjen e kësaj rregulloreje.

Në ligjin për ushqimin propozohen pesë ndryshime. Ndryshimet transferojnë te marrëveshjet dypalëshe, ose shumëpalëshe përcaktimin e procedurave të kontrollit të ushqimeve në rastet e importeve dhe eksporteve me vendet përkatëse. E shpjeguar më thjeshtë, në rastin e Ballkanit të Hapur, kontrolli i importeve serbe, apo maqedonase në Shqipëri përcaktohet sipas marrëveshjeve të nënshkruara me dy vendet dhe e anasjella.

Ndryshimet e dy ligjeve propozohen në një kohë që qeveria ka nisur një Këshillim Kombëtar me qytetarët, ku njëra prej pyetjeve lidhet edhe me Ballkanin e Hapur dhe marrja e një mendimi prej qytetarëve nëse ky proces është në interes, apo jo të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë