Ish-Kryeministri Sali Berisha u rikthye në Kuvend pas katër muajsh mungesë dhe në fjalën e parë të mbajtur akuzoi Lulzim Bashën po aq sa Edi Ramën për sabotim të punës së Komisionit Hetimor parlamentar të ngritur për inceneratorët.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, që të dy të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK u mbajtën të fshehur në Lushnje deri para dy ditësh.
“Pas tre muajsh zero hetim, sepse janë të zhytura. Është i zhytur si Edvin droga dhe Lulzim brava. Janë bërë 298 denoncime që të gjitha mbeten në heshtje, sepse Lulzim brava i implikuar në këtë aferë vetëm inekstremis lejoi që të publikohen, një apo dy herë deklarata nga PD. Nuk ka aferë më flagrante vjedhje të përbashkët në Shqipëri. Kaçakët e kanë mbajtur në Lushnje Zoton dhe Gugalljan të fshehur deri para dy ditësh dhe i kërcënonte. Kjo aferë duhet të hetohet. Natyrisht kushti i parë nga deputetët që nuk kanë asnjë lidhje me aferën sepse këtu në të dyja anët brava është me të dy këmbët. Na thuaj pak çfarë janë udhëtimet tij me Zoton? Pse nuk lejonte denoncimet”, deklaroi Berisha.
Ai kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar, sipas tij, pastrimin e parave të pista të aferave korruptive të Edi Ramës në bashkëpunim me Lulzim Bashën. Sipas Berishës, shuma shkon deri në 200 mln euro.
“Të hetohen Rama dhe pengu i tij”, u shpreh ish-kryeministri, duke përsëritur akuzën se Edi Rama e mban peng me dosje që ja ka mbyllur në Apel, në lidhje me akuzat e hedhura për “Toyota Yaris”.
Kur Berisha shqiptonte këto akuza, Lulzim Basha e kishte lënë sallën e Kuvendit. Më herët po nga foltorja foli po për komisionin hetimor për inceneratorët, por duke akuzuar Ramën për sabotim të punës së këtij komisioni.
“Mbrojtja e paprecedentë që ju i bëtë kësaj vepre të tmerrshme penale, duke çuar grupin e PS si mburojë te inceneratori i Elbasanit, që sot është një skenë krimi është prova më e qartë avokatisë që i bëni mafias së plehrave që kanë përballë shqiptarët. Ju vazhdoni pagesat për inceneratorët dhe bëni veshin e shurdhër”, tha Basha.
Lulzim Basha kërkoi praninë e Kryeministrit Edi Rama. Mungesa e Ramës e çoi Bashën drejt adresimit të të tjera akuzave ndaj kreut të shumicës.
“Ku është Kryeministri? Para dy ditësh shkoi e erdhi me charter privat. Harxhoi 150 mijë euro karburant që kushton në charter privat. Rama shkon e vjen me një charter luksoz në Paris dhe në Mynih. Kur vjen puna për të dalë para shqiptarëve nuk është. Me siguri do të vijë përgjigja: është me takime të rëndësishme. Në cilin vend të botës Kryeministri lëviz me charter privat në kryeqytet luksoze të botës. Qeveria e Edi Ramës është qeveria me e korruptuar e botës, kështu tha raporti i TI”, tha Basha.
Në mungesë të Ramës, përgjigjen e mori nga ministrja Elisa Spiropali.
“Urime, u vërtetua që është kryetari i PD, përmes një vërtetimi gjykate, urime, përsërit të njëjtat fjalime, por i ndryshon paragrafët, i kujtoj kryetarit me pullë që mbetet tek pullë, Basha të sqarojë pozicionin e tij brenda partisë në raport në shqiptarë dhe më pas që të kërkojë në Kuvend llogari, ne kemi kërkuar që të ngrihet komisioni hetimor, ju keni pasur punë të brendshme, zgjedhjet e 25 prillit nuk ishin një masakër zgjedhore, por ishin humbja juaj e radhës, sa më shpejt ta pranoi aq më shpejt do ndryshoni”, tha Spiropali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje