Bota

Gjermani, diplomati rus dëbohet me dyshimin për spiunazh

Gjermania vitin e kaluar dëboi një person të dyshuar si spiun, i cili punonte nën mbulimin diplomatik në konsullatën ruse në Mynih, raportoi të premten revista e përjavshme gjermane “Der Spiegel” në faqen e saj online.

Ajo tha se diplomati i akredituar ishte një oficer i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) i cili po vepronte si agjent për të rekrutuar një akademik rus po në Gjermani, arrestimi i të cilit për akuzat për spiunazh u njoftua të enjten.

“Der Spiegel” tha se dëbimi ndodhi menjëherë pas ndalimit në verën e vitit 2021 të Ilnur N., një studiues i Universitetit të Augsburgut, të cilin prokurorët dyshojnë se i kishte kaluar SVR-së informacione në lidhje me mjetin lëshues hapësinor të Evropës Ariane.

N., emri i plotë i të cilit nuk është bërë publik, siç ndodh zakonisht në çështjet gjyqësore gjermane, që atëherë është në paraburgim. Ndaj tij u bënë akuza për spiunazh në dhjetor 2021.

Oficeri rus që hiqej si diplomat dhe u dëbua, nuk mund të hetohej, sepse ai kishte imunitet diplomatik, sipas “Der Spiegel”. Ministria e Jashtme nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve “Reuters” për koment.

Gjermania dëboi dy diplomatë rusë në dhjetor, pasi një gjykatë zbuloi se shteti rus kishte urdhëruar vrasjen e vitit 2019 në një park në Berlin të një disidenti çeçen, një akt që gjykatësi e përshkroi si “terror shtetëror”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë