Politike

Rritja e borxhit publik, Meta dhe PD denoncojnë qeverinë

Gazeta Si – Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dhe PD-ja kanë qenë në një qëndrim kur bëhet fjalë për rritjen e borxhit publik në vend.

“Futesh në borxh për t’u përmirësuar dhe jo për t’u përkeqësuar! Në të kundërt ndodh me vendin tonë.

Sipas Indeksit të Prosperitetit, të përgatitur nga Legatum Institute, institucion i pavarur prestigjioz i përpunimit të statistikave që vijnë nga burime të besueshme, rezulton se vetëm brenda dy viteve të fundit Shqipëria ka përkeqësuar me tre shkallë treguesin e prosperitetit, duke rënë në vendin e 69-të për vitin 2021, nga vendi i 66-të, që ndodhej në 2019.

Në terma konkretë, qëndrueshmëria fiskale, dinamizmi ekonomik, fuqia punëtore janë ndër më të ulëtat në Europë.

Në pikiatë rezultojnë cilësia e qeverisjes, e ekonomisë, zbatimi i ligjeve, respektimi i të drejtave të pronësisë, zbatimi i kontratave dhe detyrimeve.

Cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë ka rënë në tërësi dhe pothuajse jemi ndër të fundit në botë për besimin ndaj institucioneve…”, shkruan Meta në Facebook.

Edhe nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, në një analizë të saj thekson se qeveria rriti borxhin ne 92%.

Sipas saj, u mor një borxh 1 mld euro gjatë pandemisë dhe vetëm 120 mln euro u dhanë si ndihmë për ekonominë, të gjitha borxhet e rindërtimit janë mbartur për në vitin aktual.

Vlera e saktë e borxhit sipas Tabakut, duhet të shihet nën dritën e KLSH dhe raporteve të FMN.

“KLSH raporton se faturat e Gjykatës së Arbitrazhit duhet të ishin llogaritur në Borxhin Publik sikundër FMN thotë që PPP duhet të ishin llogaritur gjithashtu. Llogaritur të gjithë këto shkojnë në 12% të GDP-së, shtuar borxhin 80.1% shkojmë në 92% të GDP”, u shpreh Tabaku.

Tabaku thotë se çështja e borxhit është një debat i nxehtë pasi është diskutuar shumë shpesh në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave duke qenë se disa javë më parë është marrë EUROBOND 700 mln euro. Borxhi i rritur sipas saj dhe mënyra se si qeveria po e merr atë e ka kthyer në një risk të madh buxhetin e shtetit.

“Për herë të parë në 20 vitet e fundit borxhi kalon nivelin e 80% të PBB dhe reali është në 92%. Kjo është një vijë e kuqe sepse pagesat e interesit janë rritur për borxhin dhe shkojnë në rreth 100 mln euro dhe ndërkohë që borxhi merret vazhdimisht për të shlyer borxhin”, tha ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë