Ditën e enjte ish Kryeministri Sali Berisha deklaroi në Emisionin ‘Opinion’ se Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim kishte dizinformuar shqiptarët me postimin se asnjë vendim “non grata” nuk është kthyer mbrapsht. Ai permendi si shembull se kjo ka ndodhur sipas tij ne 3-4 raste të ministrave turq, të dizenjuar nga Departamenti i Thesarit.
Nisur nga këto polemika në distancë, RTSH iu drejtuar Departamentit të Shtetit ditën e premte duke e pyetur fillimisht nese ka mundësi që shpallja e tij non grata në Shtetet e Bashkuara ose e ndonje personi tjeter ka mundesi që të anullohet? Në përgjigjen e tij një zedhënës i Departamentit te Shtetit deklaroi se vendimet për shpalljen non grata merren vetëm nga Departamenti i Shtetit dhe ato nuk kanë kufizime në kohë, domethënë nuk ndryshojnë nga një administratë në tjetrën.
“Z. Berisha u përcaktua sipas nenit 7031(c) të Ligjit vjetor për Buxhetin për shkak të përfshirjes se tij në korrupsion të konsiderueshëm në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë. Percaktime të tilla nuk janë të kufizuara në kohë. Ne pergjithesi, kur një individ percaktohet sipas seksionit 7031(c), ai individ nuk do të jetë i përshtatshëm për te perfituar një vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, thotë DASH për RTSH.
Por cfarë është neni 7031(c) i Ligjit vjetor të Buxhetit?
Ky seksion përcakton ndëshkimet që lidhen me Antikleptokracinë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Në këtë seksion përcaktohet papranueshmeria e zyrtarëve të qeverive të huaja dhe familjarëve të tyre të ngushtë, për të cilët sekretari i shtetit ka informacione të besueshme, të drejtëpërdrejta ose indirekte se ata janë përfshirë në korrupsion domethënës, ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Për këto arsye këta persona përcaktohen të mos hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe nesë këta nuk kanë aplikuar për vizë më parë. I vetmi përjashtim që parashikohet në nenin 7031(c) të Ligjit për Buxhetin dhe që lejon hyrjen e këtyre personave në territorin e SHBA lidhet vetëm me rëndësinë e zbatimit të ligjit mbi këta persona në territorin e SHBA, pra kur këta persona janë të kërkuar nga drejtësia amerikane, ose kur qeveria e SHBA është e detyruar të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, sic është rasti i detyrimit që ajo ka me kombet e Bashkuara kur këta zyrtare duhet të udhëtojnë në Asamblenë vjetore të OKB-së.
RTSH e pyeti serish Departamentin Amerikan te Shtetit mbi pretendimet e ish kryeministrit shqiptar, duke marrë si pergjigje dallimin mes vendimeve të nenit 7031(c) të Ligjit Vjetor të Buxhetit që zbatohet nga Departamenti i Shtetit dhe vendimeve të tjera që lidhen me Departamentin e Thesarit.
“Z. Berisha nuk ishte përcaktuar nën autoritetin e sanksioneve financiare. Sanksionet e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja të Departamentit Amerikan të Thesarit (OFAC) mbështeten në autoritete të ndryshme. Neper nje pergjigje lidhur me to, mund te drejtoheni tek OFAC për informacion rreth vendimeve te tyre”, thekson DASH.
Në deklarimin e zëdhenesit sa më sipër, rezulton se z Berisha i referohet vendimeve të Departamentit të Thesarit për rastet e tërhejes së vendimeve të mëparshme, ndërkohë që vendimi i shpalljes se tij non-grata është marrë nga Departamenti i Shtetit. Me sa duket, ky ka qenë edhe dallimi që ka dashur të bëjë Ambasada e SHBA në Tirane në dhjetor të vitit të kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje