Bota

Merr fund kriza në Itali, Sergio Mattarella u rizgjodh president për një mandat të dytë

Në fund të mandatit të tij të parë shtatëvjeçar, dhe pas shtatë votimesh të dështuara dhe gjashtë ditësh të furishme negociatash të dështuara mes palëve, Sergio Mattarella u rizgjodh president i Republikës. Në votimin e tetë, të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës, kreu i shtetit 80-vjeçar ka siguruar shumicën absolute.

Në fakt, kuorumi prej 505 votash në favor të tij u tejkalua në votimin e tetë në Montecitorio, duke u bërë kështu presidenti i 13 në historinë e Italisë dhe i dyti më i votuar pas Sandro Pertinit, i cili në vitin 1978 mori 832 preferenca nga 995.

Gjatë votimit të sotëm, i dyti më i votuar ishte Carlo Nordio (90). Në vitin 2015 Mattarella mori 665 vota nga gjithsej 995 votues kryesorë.

Partitë në pushtet në Itali i kërkuan të shtunën presidentit, Sergio Mattarella që të vazhdojë një mandat të dytë, pasi kishin dështuar që të gjenin kompromis për një kandidat të ri.

Kryeministri italian, Mario Draghi ka folur me Mattarellan të shtunën, duke i thënë se ai duhet të mbajë postin e presidentit “për të mirën dhe stabilitetin e këtij shteti”, ka thënë një burim qeveritar.

Ky njoftim ka ardhur pas pesë ditëve të bllokadës në parlament, meqë blloqet kryesore politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për një kandidat që do të mund të fitonte shumicën e votave të ligjvënësve.

“Italianët nuk meritojnë më shumë ditë me konfuzion”, ka thënë Matteo Salvini, udhëheqës i Partisë së krahut të djathtë, Liga.

“Të rikonfirmojmë presidentin Mattarella dhe Draghin dhe të kthehemi menjëherë në punë. Problemet e italianëve nuk presin”, ka thënë Salvini.

Presidenti ka rol të rëndësishëm në Itali, sidomos në kohë krizash. Mandati shtatëvjeçar i Mattarellas përfundonte në muajin shkurt. Jurist, avokat, akademik, politikan, 80-vjeçari Sergio Mattarella u zgjodh për herë të parë president më 3 shkurt 2015.

Sergio Mattarella ka mbuluar gjatë karrierës së tij politike postin e zëvendës-kryeministrit në qeverinë e Massimo D’Alema-s gjatë viteve 1989-1999, ka qenë ministër i Mbrojtjes në 1999-2001, ministër i Arsimit në 1989-1990, ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin në 1987-1989 dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese prej vitit 2011 e deri në zgjedhjen e tij si President i Republikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë