Monika Kryemadhi thotë se më 25 prill, LSI u përball në zgjedhje me bandat përballë dhe “armikun e pabesinë” në krah, duke nënkuptuar Lulzim Bashën.
“Ne vijmë sot pas zgjedhjeve të 25 prillit ku kontributi juaj ka qenë I jashtëzakonshëm përballë sfidave me bandat, me pabesinë. Me një partneritet që e kishim armik në krah. Votat janë mbështetje për vetë vizionin tuaj dhe pesha elektorale nuk u përkthye në mandate”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së foli gjatë një aktiviteti ku prezantoi atë që kjo parti e quan ekipi i gjeneratës së re për ndryshim, që Kryemadhi tha se do të duhet të sfidojë sistemin aktual politik.
“Ne kemi dashur të realizojmë ndryshime që të sigurojnë delegimin e sovranitetit të popullit nëpërmjet votës, e cila nuk vidhet, nuk tjetërsohet, nuk blihet, nuk manipulohet”, u shpreh ajo.
Kryemadhi prezantoi gjashtë pikat e ndryshimeve që janë synuar, që nga ndërhyrjet ligjore e teknike për të siguruar votën e emigrantëve, reformë të thellë zgjedhore me lista 100 për qind të hapura, ndarje të re elektorale, të cilën LSI e vlerëson si të pandershme, më shumë të rinj në parlament dhe shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese të 2008-s, që sipas Kryemadhit shkatërruan balancat reale të pushtetit legjislativ me atë ekzekutiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje