Politike

U tërhoq nga gara, Ademi voton në primare: Të shporrim monopolizimin e shtetit nga Basha-Rama

Tërheqja nga primaret e organizuara nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike nuk ishte tërheqje nga mbështetja që Voltana Ademi i ka dhënë Sali Berishës, në krah të të cilit u shfaq edhe në takimin e fundit që ish-kreu i PD-së zhvilloi në këtë qytet me bazën me rastin e 30-vjetorit të themelimit të degës.

Kryebashkiakja e Shkodrës votoi këtë të diel në zgjedhjet e anëtarësisë për kandidatin që do të jetë përballë Majlinda Angonit të Partisë Socialiste dhe kandidatit ende të pashpallur nga Lulzim Basha.

“Ky është procesi demokratik që për herë të parë grupi i Rithemelimit të PD në Shkodër bën për të zgjedhur nga anëtarësia të zgjedhurin e tyre që do të jetë nesër kandidat për zgjedhjet e 6 marsit. Ky është një ogur i mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Ka ardhur fundit dhe gjithmonë kjo mënyrë do kthehet sa herë që drejtuesit nuk e sigurojnë”, tha Ademi pasi hodhi votën.

Ajo deklaroi se sot në krizë është Lulzim Basha, ndërsa theksoi se procesi i primareve i shërben demokratizimit për të shporrur monopolizimin e shtetit të krijuar sipas saj nga Lulzim Basha dhe Edi Rama. Ademi nënvizoi se në fund të largimit nga detyra do të jetë në Shkodër në funksion të profesionit dhe angazhimit të saj politik.

6 marsin ajo e sheh si pikënisje për rikthimin e demokracisë, sipas saj, në të 61 bashkitë e vendit.

“Mendoj se do të fillojmë nga 6 bashkitë për të arritur në 61 që sistemin e monoplozimit ta zhbëjmë. Ne do të fitojmë bashkinë e Shkodrës dhe të shohim angazhimin e anëtarëve të PD. Në krizë sot është Lulzim Basha. Nuk e di kush është Lulzim Basha. Procesi politik që bëjmë sot është pjesë e demokratizimit për të shporrur monopolizimin e shtetit nga Lulzim Basha te Edi Rama. Fillojmë të gjithë kemi imazh më të mirë si vend”, u shpreh Ademi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë