Në Vaun e Dejës nuk ka zgjedhje më 6 mars e për rrjedhojë këtë të diel nuk mbahen primaret e organizuara nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike. Megjithatë, këtë të diel në këtë bashki u ndal Sali Berisha.
Në “Foltoren” e mbajtur në Vaun e Dejës, Berisha tha se primaret që po mbahen në gjashtë bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore janë një premtim i mbajtur i “Foltores”.
“4 muaj më parë premtuam këtë praktikë. U angazhuam para jush se do rikthejmë votën e lirë. Sot ajo po ushtrohet nga mijëra demokratë. Primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve tuaj. Me votën tuaj do të zgjidhni jo vetëm kryetarët e bashkive, por edhe këshilltarët e tyre, deputetët tuaj, do zgjidhni në një të ardhme të afërm edhe kryeministrin tuaj. Merr fund praktika e emërimeve nga lart, e zarfeve dhe pakove me euro për të fituar emërimin. Emërimi do jetë atribut i vullnetit tuaj të lirë për çdo zyrtar që ju përfaqëson ju”, tha ai.
Berisha akuzoi Bashën për shkatërrim të Partisë Demokratike edhe opozitarizmit në Shqipëri.
“PD e drejtuar nga Lulzim Brava degradoi në atë shkallë që tejkalon e imagjinatën e Garcia Maruqezit. Para kamerave u tha shqiptarëve se aty ku ishin, 1958 karrige janë ulur 5004 delegatë me 5004 vota. Sot PD duke vendosur primaret i jep fund kësaj situate tmerrësisht të papranueshme, korruptive dhe totalitare. Rikthen te anëtarësia e saj votën e lirë. Rikthen dinjitetin e tyre. Njeriu që nuk voton i lirë e ka dinjitetin e shkelmuar”, u shpreh Berisha.
Primaret, sipas Berishës, e detyrojnë kryebashkiakun e radhës që të japë llogari vetëm përpara qytetarëve, ndërsa akuza hodhi edhe ndaj Ramës.
“8 vite nën qeverisjen e Edi Ramës, Shqipëria u kthye në protektorat të krimit. Në diktaturë droge dhe korrupsioni, në një shtet që shtyp egërsisht qytetarët e saj. Të shkojmë pak te nënë Liza që donte të flijohej për votën e saj familjare, sepse një shtet barbar pa moral dhe ligj e njofton sot për nesër se do t’i prishë shtëpinë”, tha ai.
Nga Partia Demokratike zyrtare të gjithë këtë proces e kanë cilësuar si farsë.
“Të votosh e të bësh sikur voton janë gjëra të ndryshme. Meqë thonë se po votohet në primare, (është mesditë ora 14.52,dhe votimi nuk ka mbaruar dhe aq më pak numëruar) po them emrat e fituesve të paracaktuar. Në Shkodër Bardhi, në Dibër Premtimi, në Durrës Ardiani…”, shkroi deputeti Kreshnik Çollaku.
Në një tjetër deklaratë të PD përforcohet kjo ide dhe thuhet se as Berishën dhe as kandidatët e tij nuk i lidh asgjë me Partinë Demokratike. Sipas deklaratës së PD-së zyrtare, Berisha në bashkëpunim me Ramën po krijon një parti të re për të dëmtuar Partinë Demokratike.
“Një proces ku Berisha emëron, Berisha voton, Berisha numëron është vetëm vijimi i tollovisë të krijuar nga personi i shpallur non grata për korrupsion. As Berishën, as kandidatët e tij nuk i lidh asgjë me Partinë Demokratike. Rama dhe Berisha po krijojnë një parti të re për të dëmtuar Partinë Demokratike dhe për ta mbajur akoma në vendnumëro Shqipërinë. Zgjedh Ramën, mban Berishën. Zgjedh Berishën, mban Ramën”, thuhet në deklaratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje