Gazeta Si – Dy policë u vranë mëngjesin e të hënës (31 janar 2022) në Gjermani gjatë të shtënave pas një kontrolli rutinë në rrugë. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Kuselit, në jugperëndim të vendit.
Viktimat janë një police 24-vjeçare dhe kolegu i saj 29-vjeçar, ku të dy kanë arritur të transmetojnë në radio, duke shpjeguar se kanë mbetur të plagosur, por kur kanë mbërritur përforcimet, për fat të keq ata nuk mbijetuan.
Policia ka nisur kërkimet për autorët, njëri prej të cilëve është i armatosur. Hetuesit supozojnë se ata po udhëtonin me makinë. Nuk dihet ende drejtimi i arratisjes së tyre dhe arsyeja që shkaktuan vrasjen e dyfishtë të policëve.
Sipas informacioneve të gazetës “BILD”, në mesazhin e parë radiofonik që zyrtarët dërguan, thuhej se kishin ndaluar një automjet të dyshimtë. Më pas ata zbuluan gjahun e ngordhur në bagazhin e të dyshuarve dhe do të kryenin një inspektim.
Por menjëherë pas kësaj, papritur vjen mesazhi i dytë në radio. “Ata po qëllojnë mbi ne!” Kontakti i radios me ekuipazhin e patrullës u ndërpre.
Për shkak të mesazhit që mbërriti në radio “Ata po qëllojnë mbi ne”, policia dyshon se kanë qenë të paktën 2 autorë. Dyshohet se mund të kenë qenë gjuetarë pa leje të cilët kishin armët me vete. Ndërkohë, policia u ka kërkuar banorëve të rrethit Rheinland-Pfalz, ku ndodhet Kusel, të mos qarkullojnë në rrugë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje