Bota

Greqi, 12 emigrantë vdesin nga i ftohti në kufirin me Turqinë

Gazeta Si – Dymbëdhjetë emigrantë humbën jetën nga të ftohtit në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni shtetëror turk TRT, që citon Ministrinë e Brendshme. Refugjatët thuhet se u kthyen nga rojet kufitare greke, teksa tentuan të hynin ilegalisht në vend.

Autoritetet turke gjetën një grup prej 22 personash, të cilëve u ishin vjedhur rrobat dhe këpucët në vendkalimin Ipsala. Vetëm dhjetë prej tyre kishin shpëtuar.

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, akuzoi rojet kufitare greke për sjellje “mizore” dhe Bashkimin Evropian se është shumë i dobët me Greqinë.

Ministri, më pas ndau në internet fotografi të tetë kufomave, duke përfshirë tre persona të veshur me bluza dhe pantallona të shkurtra.

Soylu akuzoi njësitë kufitare greke se po sillen si “banditë” ndaj emigrantëve, ndërsa theksoi se BE është e pafuqishme.

Zyra qeveritare e provincës Edirne, pranë kufirit, theksoi gjithashtu se një nga të vdekurit ishte shpëtuar nga autoritetet turke dhe ishte sjellë ende i gjallë në spital.

Turqia, e cila pret rreth 3.7 milionë refugjatë sirianë, është një pikë kalimi kryesore për emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika që kërkojnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë