Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese rinisi në orën 10:00 seancën plenare për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, e ndërprerë pasditen e së martës dhe e shtyu vijimin i saj për të hënën.
Presidenca nuk kishte dorëzuar në këtë seancë përgjigjet për 70 pyetjet e bëra nga Gjykata Kushtetuese, ku 30 pyetje ishin bërë vetëm nga anëtari Përparim Kalo. Për përgjigjet, këshilltari Dervishaj kërkoi kohë, pasi duheshin konsultuar me Presidentin. Gjykata e pranoi kërkesën dhe shtyu vijimin e seancës për të hënën në orën 10:00.
Seanca nisi me Presidencën që paraqiti para trupës gjykuese pretendimet e saj. Presidenca këmbëngul se i gjithë procesi i ndërmarrë nga Kuvendi është nul, në shkelje të rënda proceduriale dhe i nisur politikisht si hakmarrje ndaj Presidentit, që sipas përfaqësuesit ligjor të Metës, Bledar Dervishaj mbrojti Kushtetutën dhe parimet kushtetuese.
Sipas Presidencës, përveç kësaj vendimmarrja nuk ka objekt, nuk përcakton shkeljen e rëndë të Kushtetës dhe nuk argumentohet me prova. Mbrojtja u zhvendos në këtë drejtim pas rrëzimit të kërkesës së bërë të martën për përjashtim të trupës së gjyqtarëve për konflikt interesi dhe papajtueshmëri në këtë çështje.
Raporti prej 98 faqesh i Kuvendit e akuzon Presidentin Ilir Meta për shkelje të 16 neneve të Kushtetutës, që nga formula e betimit, te parimi si institucion unifikues kombëtar, bërja palë në zgjedhje, shkelja e heshtjes zgjedhore e deri te thirrjet për nxitje dhune dhe urrejtjeje.
Presidenti vetë nuk iu është kundërvënë drejtpërdrejt këtyre akuzave, por ai nuk njeh as komisionin hetimor të ngritur nga parlamenti dhe as produktin e këtij komisioni, që sipas Presidencës është ngritur kundër parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
I bindur për këtë, Presidenti Ilir Meta refuzoi të drejtën për të folur e mbrojtur, si para këtij Komisioni, ashtu edhe para Kuvendit në seancën plenare ku u vendos për shkarkimin e tij. Por, nëse dëgjesa në Kuvend ishte fakultative, ajo para Gjykatës Kushtetuese nuk është edhe aq. Presidenti do të jetë i detyruar që të mbrohet para kësaj gjykate ndaj akuzave të ngritura prej socialistëve.
Nga i gjithë debati që është zhvilluar para dhe pas 7 majit 2021, kur u ngrit Komisioni Hetimor parlamentar Meta u përqëndrua te procedura për të rrëzuar të gjithë përmbajtjen e raportit parlamentar.
Sipas Presidencës, Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e tij është ilegjitim dhe këtu citohet ligji për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Në pikën 6 të nenit 4 të ligjit thuhet shprehimisht se: “Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje