Në mungesë të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në sallë, Sali Berisha u bë protagonisti i vetëm i seancës plenare të kësaj të enjteje në Kuvend, ku foli pak minuta sa për të denoncuar atë që e quajti heshtje të Tiranës përballë shantazhit rus.
Sipas Berishës, heshtja e qeverisë në Tiranë përballë këtij shantazhi rus diktohet nga Beogradi.
“Vendi i vetëm që ka heshtur ndaj këtij shantazhi të pashembullt është një vend anëtar i NATO-s, por edhe një vend që ka një qeveri të drejtuar nga një argat i Beogradit, vasal i Vuçiçit. Edi Rama nuk ka interesa të tjera përveç interesave kriminale. Ai nuk ka interesa kombëtare”, tha ai.
Berisha kërkoi nga Parlamenti që të miratojë me shpejtësi një rezolutë ku të shprehë solidaritetin e plotë me Ukrainën, ndërsa interpretoi si shantazh të pastër letrën që Ambasada Ruse në Tiranë i ka përcjellë Ministrisë së Jashtme shqiptare.
“Qeveria dhe Parlamenti janë shantazhuar nga ambasada ruse me një letër kërcënuese. Nuk duhet të heshtim pasi është kërcënuar vendi. Kërcënimi është ndaj Shqipërisë. Të shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ukrainën, me SHBA, me NATO-n. Nuk ka ndodhur kurrë në histori kjo. Ju bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë. Çfarë duhet të presim ne?”, tha ai.
Letra për të cilën foli Berisha nuk është posaçërisht për Shqipërinë. Ajo u është përcjellë të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe në përmbajtje kërkon një përgjigje nga gjithsecili nëse janë dakord që Ukraina të anëtarësohet në aleancë duke shkelur, sipas Moskës, një marrëveshje të 1999-s mbi të drejtën e Rusisë për mbrojtjen e interesave të saj të sigurisë.
Mesazhi rus është interpretuar edhe si një “kalë Troje” i mundshëm i Moskës për të zbuluar shtetet e lëkundura brenda aleancës që mund të vendosin veton ndaj anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje