Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç nuk u shkarkua pasi shumica e deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi nuk e mbështetën agjendën që parashikonte votimin për shkarkimin e tij.
Rrjedhimisht, zgjedhja e ministrit të Financave, Milojko Spajiç, në postin e Abazoviçit nuk është në rend dite.
Propozimi për të larguar Abazoviçin nga posti i zëvendëskryeministrit u iniciua nga kryeministri Zdravko Krivokapiç si përgjigje ndaj nismës së mëparshme të Lëvizjes Qytetare të Ura dhe partive opozitare për të votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiçit.
Nga gjithsej 81 deputetë, 77 ishin të pranishëm dhe vetëm 20 deputetë ishin për miratimin e rendit të ditës.
Para nisjes së seancës, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç u tha gazetarëve se është e parëndësishme se si do të vendosin deputetët për largimin e tij dhe theksoi se gjëja më e rëndësishme për të ishte që Mali i Zi të ketë një qeveri të re evropiane, duke e zhbllokuar rrugën e saj evropiane.
“Të gjithë deputetët le të votojnë ashtu siç mendojnë. Unë pres që të votohet rënia e Qeverisë (Zdravko Krivokapiçit)”, deklaroi ai.
Abazoviç tha se pret që qeveria e ardhshme të ketë mbështetjen e të paktën 49 deputetëve, detyra të qarta, kohëzgjatje të kufizuar, për të zhbllokuar rrugën evropiane dhe për të organizuar zgjedhje të ndershme kur të plotësohen kushtet për këtë.
Nisma e kryeministrit për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Abazoviç u ndërmor pasi Lëvizja Qytetare URA, kryetar i së cilës është Abazoviç, ka paraqitur një mocion mosbesimi kundër Qeverisë, për të cilin Parlamenti do të vendosë më 4 shkurt.
Siç thotë kryeministri në propozimin për shkarkim, më 19 janar, “pas disa muajsh mosmarrëveshje me politikën e Qeverisë, deputetët e Lëvizjes Qytetare URA, së bashku me disa deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partive të tjera, kanë paraqitur mocionin kundër Qeverisë. Nënkryetari Abazoviç, si kryetar i URA-s, nuk e kundërshtoi publikisht këtë iniciativë, duke iu bashkuar drejtpërdrejt atyre që punojnë kundër interesave të qytetarëve dhe qëllimeve të krijuara dhe të përcaktuara bashkërisht”, thuhet në propozimin e dorëzuar nga Krivokapiç.
Abazoviç ka propozuar konceptin e një qeverie të pakicës në të cilën, siç tha më 17 janar, nuk do të ketë vend për DPS-në e presidentit aktual Millo Gjukanoviq, as për DF-në pro-serbe, por ka shtuar se do të donte që këto opsione politike të mbështesin qeverinë e pakicës.
Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiç, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ndikoi drejtpërdrejt në zgjedhjen e kryeministrave dhe ministrave, u zgjodh në fillim të dhjetorit 2020 nga DF (Fronti Demokratik), Demokratët dhe Lëvizja URA.
Paralelisht me përpjekjen për zgjidhjen e krizës në institucionet e sistemit, ditët e fundit janë organizuar protesta në disa qytete malazeze, të drejtuara kundër lëvizjes URA dhe zëvendëskryeministrit Abazoviç, por edhe të gjithë atyre që mund të mbështesin konceptin e qeverisë së pakicës. (REL)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje