Bota

Qeveria pro serbe u rrëzua, Abazoviç nis bisedimet për kryeministër të Malit të Zi

Nënkryetari i lëvizjes Ura, Miloš Konatar tha për mediat malazeze se personalisht beson që kryeministër i vendit duhet caktuar Dritan Abazoviç.

Bisedimet për këtë skenar, sipas tij, nisin të shtunën e 5 shkurtit.

Ai tha se do të diskutojë për këtë me përfaqësues të mazhorancës aktuale, por edhe me subjekte të tjera në parlament.

Qeveria proserbe e Zdravko Krivokapiçit u rrëzua një ditë më parë me votat e 43 deputetëve në parlament, ndërsa kundër këtij hapi ishin 11 ligjvënës.

Gjithsej votuan 54 deputetë. Pro votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviçit dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis, ndërkaq deputetët nga Fronti Demokratik, ata të Lëvizjes për ndryshime dhe deputetët e Partisë Socialiste popullore nuk ishin të pranishëm gjatë votimit.

Mocioni i mosbesimit u iniciua nga Lëvizja URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Abazovic.

Votimi i mocionit i hapi rrugë procesit të negociatave për formimin e qeverisë së re.

Abazoviç tha se do të nisin bisedimet për formimin e pushtetit të ri ekzekutiv dhe se janë disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë