Partia Demokratike akuzon Sali Berishën se po manipulon demokratët dhe se kandidatët e paraqitur prej tij në zgjedhjet e 6 marsit nuk kanë asnjë lidhje me PD-në, por janë të LSI-së.
“Kandidatët e shtëpisë së Ilirit sot përfaqësojnë Ilir Metën dhe nuk kanë asnjë lidhje me PD. Disa njerëz nga Shtëpia e Ilirit e kanë të vështirë të heqin dorë nga e kaluara e tyre, por çdo votë për këtë shtëpi është votë për pazarin e radhës Meta-Rama. Sali Berisha dhe kandidatët e tij janë tashmë pjesë e LSI-së dhe ndonëse duket që u vjen turp nga anëtarësimi në këtë parti, ata nuk i lidh me asgje me PD, sado mashtrojnë duke përdorur emrin dhe simbolet e saj. Prandaj kush zgjedh Metën dhe Berishën, mban Ramën!”, thuhet në reagim.
Pavarësisht se në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit LSI është vënë në shërbim të Sali Berishës si mjet për të regjistruar kandidatët për kryetarë bashkish, LSI thotë se është e distancuar nga lufta e brendshme në PD.
“LSI distancohet dhe nuk ka asnjë rol në luftën e brendshme që deputeti Basha ka nisur ndaj liderit historik të PD si dhe ndaj deputetëve, drejtuesve e anëtarëve të PD, që kanë votuar shkarkimin e tij. Luftra të tilla përçarëse brenda opozitës, i shërbejnë vetëm Ramës. Deputeti Basha nuk është opozitar i vërtetë, dhe nuk ka asnjë lidhje me opozitarët e vërtetë, brenda apo jashtë Partisë Demokratike”, thuhet në një deklaratë të LSI-së.
LSI i kujton Bashës se e ka bërë kryetar bashkie në 2011, e më parë Ministër në qeverisjen, që e quan të suksesshme PD-LSI 2009-2013.
Deklarata thotë se Basha sot do të ishte Kryeministër nëse do të mbante fjalën me LSI.
“Nëse ai do t’i qëndronte fjalës me LSI dhe demokratët e protestave më madhështore që ka njohur Shqipëria, sot ai do të ishte kryeministër. Por, deputetit Basha nuk i intereson largimi i Ramës. Sot interesi i vetëm i tij është të ketë një vulë, që përmes saj të vazhdojë ashtu siç ka bërë para dhe gjatë 25 Prillit, të firmosë marrëveshje financiare me Kryeministrin Rama”, vijon deklarata.
Në zgjedhjet e 6 Marsit, LSI dhe PDK i ka mundësuar anën formale kandidatëve të Komisionit të Rithemelimit të PD, për t’u regjistruar, por këmbëngul se ata janë kandidatë të PD-së.
“Kandidatët e Shtëpisë së Lirisë janë kandidatë të Komisionit të Rithemelimit, të zgjedhur nga vetë anëtarët e PD përmes primareve të zhvilluara në partinë e tyre. Demokracia është garë dhe qytetarët meritojnë alternativa të vërteta ndaj qeverisjes, jo kandidatë false për një garë me rezultate të paracaktuara, si ajo e 25 prillit. Si në 25 Prill, ashtu dhe në 6 Mars, një gjë mbetet e sigurtë: Një votë për Bashën, është një votë për Ramën Kryeministër që mban me bukë Bashën në opozitë”-thuhet në deklaratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje