Përfaqësuesit ligjorë të Presidentit Ilir Meta u mbrojtën në Gjykatën Kushtetuese duke këmbëngulur të ana proceduriale e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, ndërsa përfaqësuesit e Kuvendit u mbështetën më fort te deklaratat publike të Presidentit për të kërkuar shkarkimin e tij.
“Kuvendi shkeli edhe procedurat për ngritjen e komisioneve. Ky proces nisi e përfundoi nga një urdhër politik e ne mungesë të lëndës. Kuvendi edhe më 4 shkurt manipuloi aktet e brendshme. U provua që kërkesa e Kuvendit u pasua nga një shkelje e kryetares. Kryetarja e Kuvendit që përfaqëson legjislaturën e 10 s’ka tagër përfaqësimi për legjislaturën e 9”, tha Presidenca.
Shkelja tjetër, sipas Presidencës, ka qenë refuzimi i dëgjimit të Metës në Komision, që sipas saj, ka cenuar të drejtat themelore. “E drejta për t’u dëgjuar nuk mund të zëvendësohet. Nuk mund të shkelet kurrë procedura për llogari të politikës. Pasi kjo e bën dallimin nga partia-shtet”, tha Dervishaj.
Ai tha gjithashtu se edhe provat e dorëzuara nga Kuvendi nuk janë të marra gjatë një procesi të rregullt ligjor dhe për këtë arsye janë të papërdorshme dhe të pavlefshme. Sa i takon rolit të Metës para zgjedhjeve, Dervishaj tha para gjykatës se Presidenti ka qenë kritik me të gjitha forcat politike dhe ndaj Qeverisë.
“Angazhimi i Presidentit për mbrojtjen e procesit zgjedhor janë të qarta. Presidenti ka pasur në vijimësi qëndrim moderues, paqtues, pa mbivlerësuar dhe nënvlerësuar asnjë subjekt politik dhe ka respektuar parimet demokratike. Thirrjet e Presidentit për mbrojtjen e votës janë një kontribut i shtuar për zgjedhjet e lira. Keqkuptimi i qëllimshëm dhe kushdo që do ta shikonte Presidentin e Republikës pasiv përballë situatave siç ishte ajo e zgjedhjeve të 25 prillit duan që të mos ketë pluralizëm politike e zgjedhje demokratike”, tha Dervishaj.
Këshilltari i Metës tha se të gjitha pretendimet e Kuvendit për shkarkim janë të denja vetëm për nenin e një Kushtetute tjetër, atë ‘për agjitacion dhe propagandë’.
“Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të deklarojë të papajtueshëm ngritjen e Komisionit Hetimor. Deklarimin si të papajtueshëm miratimin e raportit të Komisionit Hetimor. Të mos pranohet shkarkimi dhe të zgjidhet konflikti kushtetues parlament-president. Kjo çështje s’duhet të ekzistonte”, tha ai në fund.
Parlamenti u përfaqësua nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
“Në përfundim të këtij procesi mund të themi se janë provuar shkeljet e rënda Kushtetuese nga Presidenti. Është provuar faji. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese të miratojë shkarkimin e Presidentit Meta. Askush s’mund të jetë mbi ligjin. Është detyrë e Kuvendit mbrojtja e Kushtetutës, të cilën Presidenti e ka shkelur”, tha ajo.
Kuvendi akuzon Metën se ka shkelur Kushtetutën duke u bërë palë me opozitën dhe në mënyrë të përsëritur.
“Sjellja e Metës ka qenë aktive përsëritëse. Ka dhënë intervista me nismën e tij duke mbajtur qëndrime kundër një force politike, duke u kërkuar zgjedhësve të mos e votojnë mazhorancën. Presidenti ka tejkaluar kompetencat për politikën e jashtme. Ka ndërmarrë sulme kundër diplomatëve të akredituar në Republikës e Shqipërisë. Ka përhapur akuza të rreme, ka thënë se SHBA është e aftë të kryejë krime kundër tij”, tha Bushka.
Kuvendi thotë se Meta “ka ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit, ka sulmuar prokurorë e gjyqtarë. Ka ndërhyrë edhe në punët e KQZ-së apo të Policisë së Shtetit. Ka ndërhyrë edhe te Gjykata Kushtetuese. “Fakti se këto organe s’kanë reaguar, kjo nuk do të thotë që Parlamenti duhet të heshtë”, vijoi ajo.
Duke iu referuar thirrjes për kapjen e sfurqëve për mbrojtjen e votës, Bushka akuzoi Metën se ka frymëzuar dhunën.
“Presidenti ka pasur gjuhë urrejtjeje dhe përçarëse, si për shembull situatat e vetëgjyqësisë. Presidenti ka dhënë model negativ. Ka inspiruar dhunë. Nuk ka asnjë praktikë në botë që të të ketë sjelljen e Metës dhe të konsiderohet normale. Në Shqipëri kemi rastin edhe të Presidentit Topi që iu shfaq vota haptazi dhe partia e quajti tradhtar e nuk reagoi siç ka bërë Meta”, tha ajo.
Kuvendi rrëzoi pretendimet e Presidencës në lidhje me të drejtën për t’u dëgjuar para Komisionit Hetimor Parlamentar, duke thënë se Metës iu dha mundësia për t’u dëgjuar, por ai nuk mori pjesë.
Kuvendi tha gjithashtu se Presidenti nuk ka pasur për qëllim mbrojtjen e Kushtetës, se po të ishte kështu, sipas Bushkës, ai do të ngrinte padi në Kushtetuese për vendimet e Kuvendit.
“E vërteta është se kjo sjellje diskrediton figurën e zyrtarit të lartë. Presidenca nuk i është përgjigjur pyetjeve tona. E mbyll duke rikthesuar se ky duhet të jetë proces për vendosje standardi. Që jep goditje kushtetuese ligjore për mosndëshkimi e zyrtarëve publik. Meta të shkarkohet se ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe në të ardhmen mund të ketë precedentë të tjerë”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje