Politike

Meta publikon përgjigjet për Kushtetuesen: Ka pyetje paragjykuese e të nxitura nga perceptimi propagandistik

Presidenti Ilir Meta ka bërë publike përgjigjet që i ka kthyer Gjykatës Kushtetuese për 72 pyetjet që kjo trupë i drejtoi në seancën publike të 3 shkurtit.

Presidenti thotë se një pjesë e pyetjeve që i janë adresuar e kanë marrë përgjigjen me qëndrimet që ai ka mbajtur prej korrikut të 2021, ndërsa një pjesë tjetër të pyetjeve i cilëson paragjykuese dhe të frymëzuara nga perceptimi i gabuar propagandistik.

“Pas shqyrtimit të përmbajtjes së të gjithë pyetjeve, rezultoi se disa prej tyre në dukje përmbajnë elementë të paragjykimit të çështjes dhe mund të jenë të ndikuara nga perceptimi propagandistik. Gjithashtu, për shumë prej pyetjeve që Gjykata ngriti në seancën publike në datën 3 shkurt 2022, Presidenti i Republikës ka dhënë qëndrimin dhe ka parashtruar kërkimet e tij në mënyrë shteruese, dhe shumë të qartë, që prej korrikut 2021”, thotë Presidenti Meta.

Gjykata pyet Presidentin nëse kundërshton provat që ka dorëzuar Kuvendi, që përfshijnë deklarata e qëndrime në kanale televizive, konferenca shtypi, takime, postime në Facebook, faqen zyrtare dhe të tjera mjete komunikimi. Presidenti nuk mohon vërtetësinë e tyre, por thotë se ato janë të pavlefshme, sepse janë siguruar përmes një procesi të parregullt ligjor e Kushtetues.

“Provat e marra, përmes një procesi të parregullt ligjor, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe rregullat e përcaktuara për këtë qëllim, ashtu siç dhe kemi parashtruar, janë të papërdorshme dhe të pavlefshme. Të gjitha provat që Kuvendi pretendon se ia ka depozituar Gjykatës Kushtetuese, janë marrë përmes një procesi antikushtetues, në kundërshtim me parimet dhe dispozitat e ligjit për komisionet hetimore dhe Rregullores së Kuvendit. Rrjedhimisht, dhe produkti i prodhuar duke u bazuar mbi to, është i pavlefshëm dhe i papërdorshëm”, thotë Presidenca.

Meta këmbëngul te akuza ndaj Kuvendit për manipulim të provave dhe për këtë ka paralajmëruar se do të ngrejë një padi në gjykatë.

“Jemi thellësisht të tronditur se si mundet organi i Kuvendit të Shqipërisë, apo administrata e tij, që në përmbushje të një qëllimi të pastër politik, për të mbrojtur para Gjykatës shkeljet që ka kryer në mënyrë flagrante, arrin të manipulojë dhe përmbajtjen e akteve të veta”, thotë Presidenca.

Mes përgjigjeve, Presidenti i thotë Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi nuk duhet të kishte miratuar asnjë kërkesë të Komisionit të Ligjeve për ngritjen e një komisioni hetimor pa dëgjuar më parë Presidentin.

Pyetjen e pestë të gjykatës, Presidenca e cilëson si paragjykuese. Në këtë pyetje, Gjykata Kushtetuese i drejtohet Metës: Ju keni refuzuar të merrni pjesë në seancën hetimore, duke pretenduar se keni pasur takime të programuara zyrtarisht me përfaqësues të lartë të vendeve të tjera. A ka ndodhur në praktikën tuaj që të ndryshoni takimet kur e kanë kërkuar rrethanat? A ka qenë ky shkak për mosparaqitjen tuaj në seancat dëgjimore të zhvilluara nga komisioni hetimor dhe Kuvendi?”

“Pyetja nuk është korrekte. Presidenti më së pari, asnjëherë nuk ka refuzuar takimin, madje ka kërkuar të dëgjohet nga Komisioni për çështjet ligjore, që nuk zhvillon seancë hetimore, siç ju referoni në pyetjen tuaj. Komisioni për çështjet ligjore, në funksion të urdhrit politik, komunikoi në mënyrë ultimative me Presidentin e Republikës, duke i kërkuar që për një çështje kaq të gjerë dhe të madhe, të paraqitej në më pak se 20 orë”, përgjigjet Presidenca.

Meta thotë se e gjithë vendimmarrja e Kuvendit, përfshirë këtu dhe shkeljet flagrante procedurale, janë udhëhequr thjesht dhe vetëm nga objektivat politike antikushtetuese, me qëllimin e vetëm kufizimin maksimal të ushtrimit të rolit të Presidentit në funksion të paralizimit të veprimtarisë së tij. Pra, politika ka imponuar shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit, duke krijuar një situatë shumë të rëndë ndërinstitucionale. Ndaj përveç sa sqaruar në pyetjen pararendëse, ri përsërisim edhe një herë se, Presidenti ka përdorur të gjitha mjetet ligjore procedurale në dispozicion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë