Politike

Situata në Ukrainë, Basha në PPE: Lufta kurrë një opsion, mbështes përpjekjet për zgjidhje diplomatike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, që zhvilloi punimet online.

Basha tha gjatë fjalës së tij se lufta kundër korrupsionit mbetet prioriteti kryesor i PD-së.

“Standardi ynë në luftën kundër korrupsionit mbetet i njëjtë si për korrupsionin qeveritar, ashtu edhe për korrupsionin brenda familjes sonë politike”, tha Basha.

 Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale janë një tjetër objektiv i PD.  

“Ne po fokusojmë të gjithë vëmendjen dhe energjinë tonë për të ecur përpara me reformat që do t’u mundësojnë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme e një administratë vendore pa konflikte politike. Reformat zgjedhore dhe territoriale, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritetet tona kryesore”, tha Basha.

Kosova, rajoni dhe situata në Ukrainë ishin pjesë e punimeve të Asamblesë.

Basha theksoi se Partia Demokratike mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së dhe SHBA-së për një zgjidhje diplomatike sa i përket Ukrainës.

“Ne duhet të qëndrojmë krah për krah në aleancën tonë euroatlantike përballë kësaj sfide të rrezikshme jo vetëm për vetë Ukrainën, por edhe për Evropën e me gjerë”, tha Basha, duke nënvizuar se:

“Lufta nuk duhet të jetë kurrë një opsion, ndaj mbetet detyrë e liderëve politikë të përdorin të gjitha mjetet diplomatike dhe të lënë mënjanë kërcënimet e luftës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë