Politike

Komisioni Hetimor inspekton inceneratorin e Fierit që ende nuk funksionon

Përfaqësuesit e maxhorancës dhe të opozitës nga Komisioni Hetimor kanë zbritur në terren për të inspektuar inceneratorin e Fierit. Nënkryetarja e komisionit, Dhurata Çupi nga PD deklaroi se objekti nuk është funksional, ku sipas saj puna duhet të kishte nisur që në vitin 2019.

“Shteti funksionon me letra, ne e kemi ngrit komisionin hetimor bazuar në tre elementë, procedurat që janë ndjekur, abuzimi me buxhetin e shtetit dhe si është menaxhuar prona shtetërorë këtu dhe praktikat e shpronësimit. Shikohet qartë, këtu nuk përpunohet, kontrata është lidhur në 2016 në dhjetor dhe duhet të fillonte funksionimin në 2019”, deklaroi Çupi.

Zv.krytetarja e komisionit Ermonela Felaj thotë se u provua që ky objekt nuk është fantazmë ashtu siç ka pretenduar opozita, teksa theksoi se ky objekt po vijon të ndërtohet sipas kushteve të kontratës, pasi ajo nuk ka përfunduar ende.

“Këtu është një objekt që ekziston ndërkohë që është thënë që nuk ekziston. Është një objekt që vazhdon të realizohet sipas kushteve të kontratës sepse nuk ka përfunduar. Nga të dhënat që ne kemi administruar, situata në qarkun e fierit deri në vitin 2015 ishte problem se ishte fusha e mbetjeve që tashmë është rehabilituar plotësisht. Në kërkuam të shikonim vendin ku u ndërtuar impianti, konkluzione të tjera do keni raste të na ndiqni në Komisione. Nuk erdhëm për të bërë komente që mund të identifikohet si qëndrim i palëve, erdhëm për të parë këtë vend”, tha Felaj.

Sekretari organizativ i PS-së thotë se inceneratori është në fazë kolaudimi dhe së shpejti do të nisë punën.

“Komisioni Hetimor ka për qëllim të kuptojë veprimtarinë që kanë zhvilluar institucionet e këtij vendi si rezultat i emergjencave që janë krijuar. Emergjencat në Elbasan apo tiranë kanë detyruar qeverinë të gjejnë një zgjidhje të ndryshme. Ne duam të dimë a kanë vepruar drejt, sipas drejtësisë institucionet. Sipas PD është shkelur ligjim ne erdhëm sot po shohim fierin, ja ku është vepra, vepra është e re. Cdo vepër e tillë projektohet dhe ndërtohet specifikisht për këto qëllim. Është në kolaudim e sipër dhe do të fillojë punë shpejt. Sot erdhëm për të prekur me dorë objektin, për të kuptuar se çfarë do bëjë objekti. Mund të ketë pasur vonesat e veta për shkak të pandemisë”, tha Arben Pëllumbi.

Ndërkohë drejtori i zbatimit të Inceneratorit, Enid Dine thotë se grumbullohen rreth 130 mijë ton mbetje, por ende nuk përpunohen. 

“Vijnë rreth 130 tonë mbetje urbane nga bashkia Lushnje, Fier dhe Patos. Pritet që në ditët në vijim të vijmë edhe nga Mallakstra”, tha ai. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë