“Ta harrojnë ata që kanë menduar në mënyrë mafioze, gjithë ata rilindas vendas dhe ndërkombëtar, vendas mavi dhe blu, se do të varrosin ‘de facto’ pluralizmin politik në Shqipëri dhe do të dhunojnë popullin e Shqipërisë, do të dëshpërohen pa fund. Do të marrin përgjigjen e merituar. Për këtë ju jap fjalën. Jam Ilir Meta u them atyre o super budallenj, ju jeni vetëm yje (medias) vetëm informoni drejt,” iu drejtua Presidenti i Republikës, Ilir Meta, medias në konferencën 20 minutashe për shtyp ku informoi se kishte depozituar një kallëzim penal ne Prokurorinë e Tiranës dhe SPAK me argumentin se Kuvendi ka falsifikuar dokumentet për shkarkimin e tij.
Konferenca u mbajt në një kohë kur Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë nga dita në ditë vendimin për shkarkimin ose jo të kreut të shtetit.
Kushtetuesja më 7 shkurt u tërhoq për vendim me një afat brenda 30 ditëve.
”Kjo është një padi e rëndësishme për arsye se krimi i falsifikimit është shumë flagrant ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite kundër kreut të shtetit presidentit të Republikës dhe ky krim falsifikim tregon shume qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi një partiak deri pas 25 prillit, por është një dramë se si po funksionon edhe ky Kuvend, prandaj këtu kemi të bëjmë me themelet e Republikës që janë tronditur rëndë…”, tha Meta.
“… Ky akt falsifikimi që kërkon të ligjërojë gjoja procedurën brenda afateve, një procedurë mafioze, nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të finalizuar një grusht shteti kundër kreut të shtetit”, vijoi ai
Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj, sqaroi më tej padinë ndaj Kuvendit duke theksuar se janë konsumuar elemente të karakterit penal në manipulimin që sipas tij ka bërë Kuvendi me shkresën e dërguar në Kushtetuese.
“Përmban edhe elemente të karakterit penal ku mund të jenë përfshirë 1-2, disa zyrtarë të lartë administrativë të Kuvendit apo ish-funksionarë të lartë të nivelit politik që janë objekt procedimi nga struktura e Posacme. Kjo është arsye që kallëzimi i paraqitet edhe SPAK edhe Prokurorisë së Tiranës”, tha Dervishaj.
“U evidentua qartë edhe përpara Gjykatës Kushtetuese faktet e manipulimit të disa akteve shkresore që Kuvendi i depozitoi pa ia kërkuar njeri. Nga krahasimi i dokumenteve të sjella nga Kuvendi i Shqipërisë, brenda përmbajtjes së dy dokumenteve rezultonin ndryshime thelbësore në datë dhe në përmbajtje të pikës 20 ku përcaktohej rendi i ditës së datës 7. Përmes këtyre manipulimeve tentohej të orientohej Kushtetuesja drejt një datë 5 që të tentohej rrëzimi i pretendimeve të Presidentit dhe kishin të bënin me afatin 48 orë. Manipulimi është i dukshëm, data 6 ndryshon nga data 5, përmbajtja e urdhrit ndryshon. Ajo që ishte jo konsistenca e veprimit, që në hyrje të seancës gjyqësore kur kryetarja Tusha çeli seancën dhe informoi palën që kanë ardhur prova të reja, pala tjetër deklaron se këto prova i kemi sjellë për të rrëzuar pretendimet e Presidentit. Por do t’i rrëzonin përmes ndryshimeve të datave dhe përmbajtjes. Për të justifikuar që kemi respektuar 48 orëshin“, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje