Bota

Biden, një orë në telefon me Putinin: Kosto të rënda nëse pushton Ukrainën

Biseda “e fundit” dhe e shumë pritur telefonike, mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden dhe rusit Vladimir Putin, zgjati një orë e dy minuta. Dy krerët e shteteve më të fuqishme në botë, patën një telefonatë të gjatë për krizën në kufirin ukrainas.

Biden ishte në Camp David, ku përdori një linjë të sigurt komunikimi për t’u lidhur me Moskën. Krahas tij, ishte një pjesë e stafit të tij të sigurisë kombëtare.

Sipas mediave amerikane, Biden “ishte i qartë” me Putin dhe i tha presidentit rus se nëse Moska pushton Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të përgjigjen “në mënyrë të vendosur” dhe do t’i imponojnë “kosto të rënda” Moskës, sipas Shtëpisë së Bardhë.

SHBA mbeten të përkushtuara ndaj “diplomacisë” për zgjidhjen e krizës ukrainase, por edhe “të gatshme për skenarë të tjerë”, ndërsa “ai i një pushtimi do të impononte vuajtje të mëdha njerëzore”. Presidenti Biden më pas i kërkoi Putinit të zgjidhte përshkallëzimin me  diplomaci”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i përsëriti kolegut të tij amerikan Anthony Blinken se Rusia nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën. Kështu raporton “Reuters”, që citon mediat ruse, sipas së cilave Blinken tha se “rruga diplomatike” nuk është mbyllur ende.

Nëndetësja amerikane në ujërat ruse

Më herët, një nëndetëse amerikane u kap nga forcat e Moskës në ujërat territoriale ruse të Paqësorit dhe u detyrua të largohej me shpejtësi të plotë, tha Kremlini. Ky është akti i fundit i përshkallëzimit të tensionit në Ukrainë.

Rusia akuzon SHBA-në dhe BE-në se kanë “injoruar” kërkesat e saj të sigurisë dhe Lavrov beson se pretendimet e Uashingtonit se Moska dëshiron të pushtojë Ukrainën, janë thjesht “provokime” dhe një mënyrë “propagande” anti-ruse.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas njofton se forcat e armatosura të Kievit “janë të gatshme të refuzojnë çdo shkelje të sovranitetit të vendit”.

Kiev, mijëra persona në shesh kundër Moskës

Mijëra njerëz demonstruan në Kiev në një “Marshim për Unitetin e Ukrainës” duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe slogane.

Sipas organizatorëve, rreth dy mijë e tre mijë njerëz marshuan nga Parku “Shevchenko” në sheshin historik “Maidan”, i njohur gjithashtu si Sheshi i Pavarësisë, skena e trazirave të vitit 2004 dhe 2014.

Protestuesit marshuan për të demonstruar “unitet përballë një kërcënimi të përbashkët”.

“Ne jemi bashkë, jemi të fortë. Dhe pavarësisht se sa i çmendur është fqinji ynë, ne ende duam të jemi një Ukrainë paqësore dhe demokratike”, – tha Karina Kravchenko për CNN.

“Ne nuk duam të jemi miq, të jemi vëllezër me atë fqinjin e çmendur. Thjesht duam të jemi larg, shumë larg atij vendi”, shtoi ako.

Një tjetër protestues, Vyacheslav Stelmah, i tha CNN se “ukrainasit do t’i rezistojnë çdo agresioni rus. Ne nuk do të qëndrojmë të qetë dhe të heshtim ndërkohë që Rusia paraqet një rrezik të konsiderueshëm për vendin tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë