Lulzim Basha doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me anëtarët e Partisë Demokratike të Komisionit Hetimor të Incineratorëve, me përjashtim të Belind Këlliçit dhe Edmond Spahos, që i janë kundërvënë dhe nuk e njohin atë si kryetar partie.
Kreu i PD-së doli me deputetët Jorida Tabaku, Lefter Gështenja dhe Dhurata Çupi. Në fjalën e tij, Basha paralajmëroi se së shpejti do të ketë një arrestim tjetër për këtë çështje, që e cilësoi kurban të radhës të Edi Ramës për të shpëtuar vetë nga kjo çështje.
“Edi Rama ka bërë gati kurbanin e radhës për këtë aferë, me shpresën që të shpëtojë vetë. Por, s’ka shqiptar që nuk e di që një skeme e tillë korruptive, nuk bëhej pa miratimin e Edi Ramës”, tha ai.
Basha ngriti disa pyetje se përse, sipas tij, e gjitha afera e incineratorëve është bërë me dijeni dhe urdhër të Kryeministrit Edi Rama.
“A mund t’i kryente një qeveri 17 procedura në 24 orë pa miratimin e Edi Ramës, siç u bë për inceneratorin e Elbasanit? A mund të paguheshin 35 mln euro për Inceneratori i Tiranës, ku siç e patë nuk ka përfunduar as 50% të projektit dhe janë faturuar punë të pakryera pa dijeninë e Edi Ramës?”, tha ai.
Kreu i PD i kërkoi SPAK që të veprojë pa vonesë me arrestimet e përgjegjësve. “Mos të presë që Rama t’i shkarkojë ministrat e më pas t’i arrestojë”, deklaroi Basha.
Sipas Bashës, Lefter Koka, i arrestuar tashmë nga SPAK për tenderin e incineratorit të Elbasanit është vetëm bishti i kësaj afere. “Koka e vërtetë është Edi Rama”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje